Select Page

– “Kur erdhi lajmëtari i sihariqit, ia hodhi atë (këmishën e Jusufit) mbi fytyrë, dhe atij iu kthye shikimi.” – Nuk zgjati shumë dhe erdhi përgëzuesi, i cili i tregoi se së shpejti do të takohej me Jusufin dhe vëllezërit e tij. Ai e hodhi këmishën në fytyrën e Jakubit (a.s), të cilit në atë çast iu kthye shikimi.

Pasi shikimi i ishte shuar nga dhimbja dhe malli për Jusufin (a.s), tashmë babai po shihte qartë, pas takimit me të birin e dashur. Në këto momente Jakubi (a.s), i kënaqur me mirësitë e shumta të Allahut të Lartësuar mbi të, u drejtohet pjesëtarëve të tjerë të familjes, të cilët më parë e qortonin dhe çuditeshin me fjalët e tij:

– “Ai tha: “A nuk ju thashë se unë di prej Allahut atë që ju nuk e dini?”  – Kuptimi: Unë di për Allahun e Lartësuar gjëra që ju nuk i dini. Ai më ka begatuar me dituri të madhe, prandaj unë shpresoja gjithmonë për ritakimin me Jusufin dhe se dhimbja e ndarjes do të largohej një ditë.