Select Page

– “Ne e zbritëm atë (Kur’anin) plot urtësi …” – Kur’ani ka zbritur me të vërteta të mëdha. Ai u shpall për t’u mësuar njerëzve urdhëresat dhe ndalesat e Zotit, rregullat dhe ligjet e Tij. Ai u shpall për t’u treguar atyre, gjithashtu, shpërblimet dhe ndëshkimet që meriton secili grup, në varësi të plotësimit ose jo të porosive të tij.

– “… dhe me të vërtetën (e besnikërisht) është zbritur.” – Pra, edhe mënyra si u shpall ky Kur’an është e vërtetë e sigurt, e ruajtur nga çdo shejtan i mallkuar. Ai u shpall përmes Xhibrilit, melekut besnik, te Muhamedi – profeti besnik.

– “Ne të dërguam ty veçse si përgëzues dhe qortues.” – Profeti është përgëzues dhe sjell lajmin e mirë për këdo që i bindet Allahut. Ai i përgëzon besimtarët se do të kenë shpërblime të përshpejtuara që në këtë botë, por edhe shpërblimet e pafundme dhe të pashembullta në jetën tjetër. Profeti (a.s) u dërgua edhe si qortues e paralajmërues për të gjithë ata që nuk i binden Allahut, se ata i pret një ndëshkim i rëndë jo vetëm në këtë botë, por edhe në jetën tjetër, që është e përjetshme.

Që një profet të meritojë cilësimin “përgëzues e qortues”, duhet sigurisht që t’u sqarojë njerëzve ato vepra për të cilat premtohet shpërblim dhe rrugët e realizimit të tyre. Edhe për të qenë qortues i mirë, ai duhet të sqarojë veprat e qortueshme, rrugët për t’u larguar prej tyre dhe ndëshkimet për to. Sigurisht, Profeti i sqaroi të gjitha këto në formën më të plotë, të kuptueshme e të thjeshtë.