– ”As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata nuk mund ta kalojë ditën, …” – Kështu, si diellin dhe hënën, si natën dhe ditën, është Zoti që i ka përcaktuar dhe asgjë nuk mund të ndryshojë caktimin dhe rregullin e Tij. Zoti i ka dhënë forcë dhe kohë çdo gjëje. Nëse njëra vjen, tjetra largohet. “As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata nuk mund ta kalojë ditën…” Dielli nuk mund të marrë pushtetin e hënës gjatë natës, në mënyrë të tillë që të shohim diellin gjatë natës. Edhe hëna nuk mund të marrë forcë, derisa dielli të perëndojë e të largohet.
– ”Secili (trup qiellor) noton në orbitën e vet.” – Kështu, dielli, hëna dhe yjet, të gjithë lëvizin sipas rrugës dhe kohës së përcaktuar për ta, në mënyrë të vazhdueshme. Të gjitha këto janë një argument i fortë dhe shumë i qartë, që tregojnë për madhështinë e Krijuesit, për madhështinë e cilësive të Tij e, në mënyrë të veçantë, për madhështinë e pushtetit, urtësisë dhe diturisë së Tij të gjerë në këtë gjithësi.