– ”Argument për ata është edhe nata, prej së cilës tërheqim ditën dhe ata zhyten në errësirë.” – Ky është një argument dhe një shenjë treguese, që tregon se vullneti dhe dëshira e Tij është ajo që do të shkojë në vend patjetër. Pushteti dhe sundimi i Tij është absolut dhe Ai është Plotfuqishëm që t’i ringjallë krijesat. Kështu, Allahu i Madhëruar e largon atë dritë të fuqishme që mbulon dhe ngroh tokën, duke e zëvendësuar me errësirën e natës. Pastaj, Ai e largon errësirën, që e ka mbuluar tokën, duke e bërë diellin të lindë dhe të ndriçojë. Kështu, krijesat përhapen ditën për të kërkuar rizkun dhe për të vazhduar jetën e tyre. Ata shpërndahen për të kërkuar mirësitë e Allahut.