– ”I lavdëruar qoftë Ai që i krijoi në çift të gjitha gjërat – ato që rriten në tokë, ata vetë (njerëzit) dhe shumë gjëra që ata nuk i dinë.” – Është Allahu që i krijoi ato lloje të shumta bimësh, që është e pamundur t’i numërosh të gjitha. Po kështu, Ai krijoi njerëzit të ndryshëm dhe i bëri që ca të jenë meshkuj dhe ca femra. Kështu, njerëzit ndryshojnë jo vetëm nga ana fizike, por edhe nga cilësitë e përshkrimet e tyre, qoftë të jashtme, qoftë të brendshme.
Pastaj Allahu i Madhëruar thotë se krijoi: “… dhe shumë gjëra që ata nuk i dinë.” Domethënë, krijoi edhe krijesa, të cilat ne nuk i njohim dhe do të ketë edhe krijesa të tjera më vonë, që ende nuk janë krijuar. I Lavdëruar, i Dëlirë dhe i Pastër nga çdo e metë është Allahu i Lavdëruar. I Madhëruar qoftë Ai nga shpifjet e trillimet se Ai mund të ketë shokë e partnerë, apo ndihmëtarë e mbështetës, apo grua e fëmijë. Ai nuk ka të ngjashëm apo të njëjtë me Të dhe as si shembulli i Tij. Ai është i Vetëm dhe Absolut në cilësitë e Tij të plota dhe emrat e atributet e Tij të bukura. Atij nuk mund t’i shpëtojë asgjë nga ajo që Ai dëshiron.