Select Page

Ata (mohuesit) thanë: “Ne parandiejmë ogur të keq me ju dhe nëse nuk tërhiqeni, ne do t’ju gjuajmë me gurë dhe do të përjetoni ndëshkim të dhimbshëm nga ne”. – Këto ishin fjalët që banorët e fshatit u thanë të dërguarve të Allahut:Ne parandiejmë ogur të keq me ju…”. Sikur thoshin: “Që kur ju keni ardhur tek ne, kemi parë veçse sherr dhe ligësi.” Subhanallah! Kjo është nga gjërat më të çuditshme! T’i konsiderosh si shkak të ligësive dhe sherrit ata profetë të zgjedhur, të cilët u sollën njerëzve mirësinë më të madhe dhe dhuratën më të çmuar, që mund t’u jepet krijesave? Ata u sollën atë që qëndron mbi çdo domosdoshmëri tjetër.

Profetët e Zotit erdhën në këtë popull dhe e gjetën në një gjendje shumë të keqe, nga e cila vetëm besimi i drejtë mund t’i shpëtonte. Por në vend që të pranonin besimin dhe të shpëtonin, ata u zhytën edhe më keq në ligësitë e tyre dhe e konsideruan besimin si diçka të urryer dhe tersndjellës. Ja, çfarë bën shpirtligësia e mendjemadhësia. Ajo është më e keqe për njeriun se çdo armik tjetër. Pastaj këta njerëz fatzinj kërcënuan profetët e tyre, duke u thënë: “…dhe nëse nuk tërhiqeni, ne do t’ju gjuajmë me gurë dhe do të përjetoni ndëshkim të dhimbshëm nga ne.” Ne do t’ju vrasim me formën më të tmerrshme, me gurë. Atëherë, profetët iu drejtuan atyre me këto fjalë: