– “Thuaj: “A të kërkoj tjetër zot veç Allahut, kur Ai është Zoti i gjithçkaje?!” – E si mund të pritet prej meje që të zgjedh ndonjë krijesë si zot, si kujdestar për mua dhe të cilit t’ia besoj të gjitha çështjet e mia? E si mund ta bëj këtë, kur Allahu është Krijuesi i të gjitha krijesave dhe të gjithë janë nën përkujdesin dhe sundimin e Tij, kur të gjithë i janë nënshtruar ligjit të Tij?
Kështu, është detyrë për mua dhe për të gjitha krijesat që, si Zot të tyre, që ka në dorë sundimin dhe përkujdesjen për krijesat, që ka të drejtën për të vendosur ligjin mbi ta dhe për t’i marrë në përgjegjësi, të konsiderojnë dhe besojnë vetëm Allahun e Madhëruar.
Është detyrë për ta që të kënaqen me Allahun si Zotin e tyre, dhe jo me krijesat e dobëta, të varfra, të pafuqishme dhe të nënshtruara nga Zoti i Madhërishëm. Në vijim, i Lartësuari paralajmëron dhe inkurajon njerëzit për t’iu larguar ligësive dhe për të bërë mirë, duke u përmendur ligjin e shpërblimit dhe shpagimit nga Ai, që është i Gjithëdituri.
– “Secilit i rëndon e keqja e vet dhe askush nuk do ta mbartë barrën e tjetrit.” – Çdo vepër, e mirë apo e keqe qoftë, do të shënohet veçse në llogarinë e atij që e ka bërë dhe askush nuk do të jetë përgjegjës për veprat e tjetërkujt. Kjo i ngjan thënies tjetër të Allahut të Madhëruar: “Kush bën mirë, bën mirë për veten e vet e kush bën keq, ai vepron kundër vetes së vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve .” [Fussilet 46].
Çdokush do të bartë në shpinë vetëm barrën e punëve të tij. Gjithashtu, edhe ai që është bërë shkaktar për veprimin e të këqijave nga një tjetër do të bartë në shpinë barrën e asaj që ka shkaktuar, duke mos i pakësuar asgjë atij që i ka vepruar me zgjedhjen e vet të lirë.
– “Kthimi juaj është te Zoti juaj. Ai do t’jua tregojë të vërtetën e asaj për të cilën kundërshtoheshit.” – Ditën e Kijametit të gjithë do të ktheheni tek Allahu i Gjithëditur dhe i Urtë dhe Ai do t’ju paraqesë të gjitha kundërshtitë mes jush, për qëndrimet e drejta dhe ato të padrejta, për veprat e mira dhe ato të këqija, duke shpërblyer secilin me meritë.