Select Page

   Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar nxjerr në pah edhe një herë mendjelehtësinë, arsyetimin e shëmtuar dhe humbjen e madhe ku ishin zhytur ata të mjerë.

“Kanë humbur ata që i vrasin fëmijët e tyre nga marrëzia e padituria dhe, duke trilluar kundër Allahut, kanë bërë të ndaluar ushqimin që Allahu ua ka dhënë. – Duke vrarë fëmijët e tyre, ata shkatërruan fenë dhe besimin e tyre. Ata meritojnë të përshkruhen si mendjelehtë, të paarsyeshëm, të palogjikshëm, të dështuar dhe të humbur. Vetëm njerëz me këto cilësi mund të kryejnë vepra të tilla.

– “Ata i janë shmangur rrugës së drejtë dhe nuk janë të udhëzuar.” – Ata e konsideronin haram të mirën e madhe që Allahu i Lartësuar u dhuronte si mëshirë për ta. Jo vetëm që nuk tregonin mirënjohje për bujarinë e Allahut të Lartësuar, por e gjykonin të mirën si gjë të ndaluar, ndërkohë që ishte hallalli më i këndshëm dhe më i mirë. Të gjitha këto i bënin duke trilluar, ashtu siç di të bëjë çdo mohues, armik dhe urryes i Zotit dhe i Profetit të Tij. Me mohimin e Shpalljes së Zotit dhe me shpifjet e tyre, ata humbën shumë larg, pa patur asnjë argument nga Zoti në çështjet e tyre.