– “Ata thoshin: “Ajo që gjendet në barkun e këtyre e këtyre bagëtive, u përket vetëm meshkujve tanë, kurse për gratë tona janë të ndaluara”. Por, nëse lindnin të ngordhura, ata të gjithë (burra e gra) kishin pjesë në të.“ – Konsumimi i pjellave të deveve të përcaktuara ishte hallall për meshkujt, por i ndaluar për gratë. Kështu veprohej nëse ato lindnin të gjalla. Por nëse lindnin të ngordhura, atëherë ishin të lejuara për të gjithë, për meshkujt e për femrat.
– “Ai do t’i ndëshkojë ata për këtë lloj gjykimi. Ai është i Urtë e i Gjithëditur.“ – Për këto trillime, që të lejuarat nga Allahu i bënin haram dhe haramet i bënin të lejuara, – duke kundërshtuar në këtë mënyrë ligjet e Allahut të Lartësuar, e aq më keq, duke pretenduar se ishte Allahu i Lartësuar që i kishte udhëzuar ashtu, – Ai ka për t’i ndëshkuar ashtu si e meritojnë ata që trillojnë në lidhje me Allahun dhe ligjet e Tij. Allahu është Hakim – i Urtë në çdo përcaktim të Tij. Me urtësinë e Tij,
Ai i lë të lirë gjynahqarët të zgjedhin dhe të bëjnë vepra të shëmtuara. Ai është Alim – i Gjithëditur rreth tyre. Atij nuk i fshihet asgjë prej fjalëve dhe veprave të tyre. Allahu i di shumë mirë trillimet dhe shpifjet e tyre të shëmtuara, por megjithatë vazhdon t’i furnizojë dhe të kujdeset për ta. I Lartësuar qoftë Allahu, i Gjithëdituri dhe i Urti!