Select Page

Kështu Ne i bëjmë keqbërësit sundues mbi njëri-tjetrin, për shkak të asaj që veprojnë.“ – Ky është rregulli i patjetërsueshëm i Allahut të Lartësuar. Ai i bëri xhindët që të sundojnë e t’i devijojnë miqtë e tyre njerëz, të cilët u binden e ndjekin hapat e armiqve të tyre. Ata vazhdojnë të lidhen fort dhe t’i binden njëri-tjetrit në poshtërsira, derisa u bëhen robër të bindur e të nënshtruar ndaj ligësisë.

Në të njëjtën mënyrë, Allahu i Madhërishëm bën që disa zullumqarë të sundojnë zullumqarë të tjerë, duke i bërë shkaktarë të devijimit e shkatërrimit të njëri-tjetrit. Ata nxisin për ligësi e poshtërsira dhe pengojnë njëri-tjetrin nga mirësia, duke shpifur e mashtruar rreth saj. Ky është një nga ndëshkimet më të frikshme dhe më të mëdha, me të cilën i dënon Allahu i Drejtë dhe i Urtë zullumqarët.

Shkaku i këtij ndëshkimi është faji i zullumqarëve. Janë ata që dëmtojnë vetveten, duke i hapur asaj portat e shkatërrimit dhe humbjes. Nëse njerëzit e teprojnë me padrejtësi e shthurje, atëherë Zoti u vendos mbi krye tiranë, që t’u nxjerrin të zitë e ullirit. Ata do t’i shtrydhin, duke i privuar nga të drejtat e tyre. Kështu, ata të mjerë ngarkohen shumë e shumë më tepër nga sa kërkohet prej detyrimeve ndaj Zotit dhe ndaj krijesave të Tij.

Nëse, nga njëra anë, me plotësimin e urdhrave të Allahut do të fitonin çdo të mirë, nga ana tjetër, me përmbushjen e urdhrave të padrejta të këtyre zullumqarëve nuk do të fitojnë asnjë shpërblim, por vetëm vuajtje e trishtim.

Megjithatë, nëse njerëzit rregullohen dhe përqendrohen në rrugën e drejtë, Allahu i Lartësuar ka për t’i rregulluar dhe përmirësuar krerët e tyre, duke i shndërruar ata në udhëheqës të drejtë dhe të urtë, e jo në tiranë të padrejtë e kriminelë. Në vijim, Allahu i Lartësuar qorton të gjithë ata njerëz dhe xhindë që i kanë kthyer shpinën së vërtetës. Ai ua vë në dukje fajin e tyre, të cilin ata e pranojnë. I Lartësuari do të thotë: