– “Një Ditë Ai do t’i tubojë të gjithë …” – Kjo është dita kur Allahu i Lartësuar do t’i tubojë të gjithë, njerëz dhe xhindë, të devijuarit dhe devijuesit. Të gjithë do të tubohen për të dhënë llogari. Allahu i Lartësuar u drejtohet me qortim xhindëve, të cilët kanë devijuar njerëzit nga udha e drejtë, duke ua zbukuruar të keqen dhe duke i shtyrë pareshtur drejt poshtërsive. Allahu i Lartësuar thotë:
– (“dhe do t’u thotë): “O grumbull i xhindeve! Shumë keni marë (e devijuar) nga njerëzit.” – Ju e tepruat në pengimin e njerëzve dhe shmangien e tyre nga rruga e drejtë. Si patët guxim të shkelnit kufijtë e Mi? Si guxuat të luftonit profetët e Mi? Ju u përkushtuat në luftën kundër Zotit dhe u përpoqët me çdo mënyrë për t’i penguar njerëzit nga rruga e Tij dhe për t’i futur në rrugën e zjarrit? Sot mbi ju do të godasë ashpër mallkimi dhe zemërimi Im.
Sot do t’ju shtohet ndëshkimi në varësi të kufrit tuaj dhe në varësi të devijimit që u shkaktuat të tjerëve. Sot nuk ka arsyetim, me të cilin mund të justifikoheni, as strehë ku mund të mbroheni, as ndërmjetësues që mund t’ju ndihmojë dhe as lutje e përgjërim që mund t’ju dëgjohet dhe t’ju shpëtojë. Pas kësaj, mos pyet për poshtërimin dhe vuajtjet që do të bien mbi ata të mjerë. Për këtë arsye, i Madhëruari nuk përmend ndonjë justifikim të tyre. Ndërsa për miqtë dhe pasuesit e tyre prej njerëzve, Allahu i Lartësuar thotë se ata do të mundohen të parashtrojnë ndonjë lloj justifikimi, por ai, sigurisht, është i papranueshëm:
– Ndërsa njerëzit që ishin miq të tyre do të thonë: “Zoti ynë! Ne përfituam nga njëri-tjetri … – Të dyja palët, njerëz dhe xhindë, përfituan dhe u kënaqën me njëri-tjetrin. Xhindët kënaqeshin me bindjen, adhurimin, nënshtrimin dhe madhërimin që njerëzit iu kushtonin atyre. Ata kënaqeshin kur njerëzit u kërkonin ndihmë, mbrojtje dhe strehim, duke u ndierë në këtë mënyrë edhe më arrogantë e të papërmbajtur. Ndërsa njerëzit kënaqeshin kur arrinin qëllimet e tyre dhe realizonin, me ndihmën e hileve të xhindëve, shumë nga dëshirat e tyre.
Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, ata arrinin të plotësonin disa nevoja të kësaj dynjaje. Kështu, atë ditë, njerëzit sikur duan të justifikohen me këtë fakt, duke pretenduar se të gjitha gjynahet ndodhën pikërisht për këto shkaqe, dhe tashmë ato nuk mund të zhbëhen. Pra, sikur duan të thonë se, nëse do të kishin më shumë kohë në dispozicion, do të ndryshonin. Ata do thonë:
– “… por ne e arritëm afatin tonë, të cilin Ti na e kishe caktuar.” – Ne na mbaroi afati që Ti na kishe përcaktuar dhe tashmë jemi këtu, në vendin ku ekziston vetëm shpërblimi për punët e bëra. Tani vepro me ne çfarë të dëshirosh dhe jep gjykimin Tënd! Ne nuk kemi asnjë justifikim për të dhënë. Urdhrat janë të Tuat dhe gjykimi është i Yti. Në këto fjalë ndihet një lloj pendimi dhe përunjësie, por që nuk do t’u vlejnë aspak, sepse tashmë koha e pendimit ka mbaruar. Prandaj i Lartësuari do të japë gjykimin e Tij të drejtë, që është larg çdo padrejtësie e mangësie.
– “Allahu do të thotë: “Zjarri është vendi juaj i banimit. Ju do të jeni përjetësisht në të, përveç nëse dëshiron Allahu.” – Duke qenë se gjykimi i Tij është i ndërtuar dhe buron nga urtësia dhe dituria e Tij absolute, Allahu i Lartësuar e mbyll ajetin duke thënë:
– “Vërtet, Zoti yt është i Urtë e i Gjithëditur.“ – Ashtu sikurse dituria e Tij ka përfshirë gjithçka, ashtu edhe urtësia dhe gjykimi i Tij ekzekutohet mbi gjithçka. Asgjë nuk mund të dalë jashtë diturisë dhe urtësisë së Zotit dhe çdo gjë do të shkojë në vendin që i takon.