– ”Sot do ta nxjerrim trupin tënd, që ti të shërbesh si argument për ata që do të vijnë më pas.” – Për shpjegimin e ajetit, dijetarët kanë thënë se bijtë e Izraelit, duke qenë se e kishin shumë frikë Faraonin, nuk po u besohej se ai u mbyt, prandaj filluan të shfaqnin dyshime për këtë. Atëherë, Allahu i Madhëruar urdhëroi detin që ta nxirrte trupin e tij në një breg të dukshëm e të lartë, që ata të shihnin si shenjë nga Zoti i tyre dhe të besonin Profetin e Tij.
– ”Vërtet, shumë njerëz janë tërësisht të pavëmendshëm ndaj argumenteve Tona.” – Para syve u kalojnë shenja dhe fakte të shumta, që tregojnë madhështinë e Zotit vërtetësinë e shpalljeve të Tij dhe besnikërinë e profetëve të Tij, por shumica e tyre nuk përfitojnë nga këto shenja, por i kalojnë me shpërfillje. Ndërsa ata që kanë logjikë dhe arsye të shëndetshme nuk mund t’i kalojnë me shpërfillje shenjat e faktet e Zotit. Përmes atyre shenjave, ata shohin dhe binden se gjithçka për të cilën kanë njoftuar profetët e Zotit është e vërtetë.