– ”Ai tha: “Është pranuar lutja juaj. Prandaj përqendrohuni në rrugën tuaj e mos ndiqni rrugën e atyre që nuk dinë!” – Allahu i Madhëruar, duke iu drejtuar Musait dhe Harunit, tha: “Është pranuar lutja juaj. ” Në fakt, ishte Musai që e bëri atë lutje, ndërsa Haruni bënte “amin“. Kjo tregon se kur dikush thotë “amin” për një lutje të thënë nga dikush tjetër, ai konsiderohet sikur e ka bërë vetë atë lutje.
Pastaj i Lartësuari i këshillon dhe i porosit ata që të jenë të qëndrueshëm dhe të duruar në rrugën e Tij dhe të vazhdojnë davetin, duke u larguar njëkohësisht nga injorantët e humbur, të cilët janë larguar nga rruga e drejtë e Tij. Ata ndjekin rrugët e zjarrit, në të cilat ftojnë edhe pasuesit e tyre.
Allahu i Madhëruar e urdhëroi Musain që të nisej për udhëtim me bijtë e Izraelit natën, duke i treguar se ata do të përndiqeshin nga Faraoni dhe ushtria e tij. Dhe, vërtet, Faraoni dërgoi lajmëtarë në çdo qytet që të mobilizonin ushtarë për t’u vënë në ndjekje të Musait. Ai u tha: “Musai dhe populli i tij janë veçse një grup i vogël, që kanë shkaktuar zemërimin tonë.”
Kështu, Faraoni grumbulloi një ushtri të madhe me njerëzit që ishin afër dhe me ata që ishin larg. Ai u vu në ndjekje të Musait, i mbushur me armiqësi, zemërim dhe urrejtje të padrejtë, duke shkelur kufijtë e Zotit dhe duke dashur shkatërrimin e tiraninë në tokë. Por kujdes! Kur gjynahet dhe padrejtësitë shtohen dhe e mbulojnë një popull, atëherë dije se ndëshkimi është shumë afër e do të godasë ashpër.