Select Page

Musai tha: “O Zoti ynë! Ti i ke dhënë Faraonit dhe parisë së tij stoli dhe pasuri në jetën e kësaj bote dhe kështu, o Zoti ynë, ata po i largojnë njerëzit prej rrugës Sate.”. – Kuptimi: O Zot! Ti i ke dhënë Faraonit stoli të të gjitha llojeve, veshje e shtëpi luksoze, shërbëtorë e pasuri të mëdha. Kështu, nëpërmjet këtyre pasurive, ata mund të devijojnë njerëzit nga rruga Jote dhe t’i humbasin ata, duke u bërë shkak jo vetëm për devijimin e vetë atyre, por edhe të të tjerëve. Për këtë arsye, ata e kishin merituar mallkimin e Musait, i cili tha:

– “O Zoti ynë! Zhduke pasurinë e tyre dhe vulosi zemrat e tyre që të mos besojnë derisa ta ndiejnë dënimin e dhembshëm!” – Zhduki pasuritë e tyre duke ua shkatërruar ose duke ua shndërruar ato në gurë, që të mos kenë më asnjë dobi prej tyre. Lutja tjetër e Musait kundër tyre ishte: “…vulosi zemrat e tyre që të mos besojnë derisa ta ndiejnë dënimin e dhembshëm!”

Pra, ashpërsoji zemrat e tyre, në mënyrë që të mos besojnë më, derisa të shohin ndëshkimin e Zotit. Musai (a.s) e bëri këtë lutje nga zemërimi i madh ndaj tyre dhe për shkak të diturisë së tij të plotë rreth Zotit dhe faktit se Ai do t’i ndëshkonte ata për krimet e tyre të pashembullta duke ua mbyllur portën e besimit dhe të kthimit tek Ai.