– ”Ne i shpallëm Musait dhe vëllait të tij: “Gjeni vend për popullin tuaj në Egjipt!” – Pas masave shtrënguese të ndërmarra nga Faraoni e paria e tij kundër popullit të Musait duke dashur t’i mundonin dhe largonin ata nga feja e tyre, Allahu i Madhëruar i shpalli Musait:
– ”Kthejini në faltore shtëpitë tuaja dhe faleni rregullisht namazin!” – Allahu i Madhëruar i urdhëroi që të ndërtonin shtëpi për t’u fshehur dhe për t’i kthyer ato në faltore, sepse nuk mund t’i kryenin ritet në objektet e përbashkëta të kultit. Më pas i porositi: “faleni rregullisht namazin!”, sepse ai është një adhurim që të ndihmon në të gjitha çështjet.
– ”Përgëzoji besimtarët!” – Përgëzoji besimtarët se Zoti do t’u japë fitoren dhe pushtetin në tokë! Ai do t’u mundësojë që ta shfaqin haptazi fenë e tyre. Të jeni të bindur se, pas vështirësisë, vjen lehtësimi. Në fakt, lehtësimi vjen së bashku me vështirësinë. Dhe, vërtet, pasi çështja u ngushtua dhe sprova u ashpërsua, Allahu i Madhëruar solli çlirimin e lehtësimin. Në këtë kohë, kur Musai pa ashpërsinë dhe tiraninë e ushtruar nga Faraoni dhe ndjekësit e tij, i mallkoi dhe u lut kundër tyre, ndërsa Haruni bëri ‘amin’ për lutjen e Musait.