Select Page

Ata thanë: “A ke ardhur të na largosh nga ajo ku i gjetëm prindërit tanë, për t’ju mbetur juve pushteti në tokë?!”.  Vallë, ti ke ardhur që të na pengosh nga tradita e të parëve tanë, që adhuronin idhujt, dhe na urdhëron që të adhurojmë Allahun si Një të vetëm? Për ata, besimi dhe tradita e të parëve ishte argument i pakundërshtueshëm, që mund të hidhte poshtë të vërtetën me të cilën erdhi Musai (a.s). Pastaj thanë:

Ne nuk kemi për t’ju besuar kurrë ju të dyve.”. – Ju dëshironi veç të merrni udhëheqjen dhe të na dëboni nga vendi ynë. Kjo ishte një mënyrë për të çoroditur masën e gjerë dhe për të shmangur vëmendjen e tyre nga thelbi i çështjes. Gjithashtu, ata synonin të ngjallnin urrejtje për Musain, duke e paraqitur atë si destabilizues dhe shkatërrues. Sigurisht, këto shpifje dhe trillime ndaj Shpalljes hyjnore dhe qëllimeve të një profeti nuk vlejnë aspak dhe nuk mund të konsiderohen si argument.

Çdokush që vështron në thellësi të çështjeve arrin ta bëjë dallimin. Faktet dhe argumentet e vërteta nuk mund të hidhen poshtë me trillime e shpifje. Ata që e refuzojnë të vërtetën e mbështetur me fakte e mrekulli, përmes shpifjeve e trillimeve të pabaza, tregojnë për dobësinë e paaftësinë e tyre që të polemizojnë me kundërshtarin. Nëse do të kishin argumente të sakta, nuk do të thoshin: “Qëllimi yt është ky e ai”. Nuk ka rëndësi a është i vërtetë apo jo pretendimi i kundërshtarit. Rëndësi ka argumenti mbi të cilin ti mbështet refuzimin tënd të tezës së tjetrit.

Nga ana tjetër, çdokush që e njihte Musain dhe thelbin e ftesës së tij e dinte mirë se ai nuk kishte asnjë qëllim për të qenë sundimtar. Ashtu si të gjithë vëllezërit e tij profetë, qëllimi i tij ishte udhëzimi i krijesave në rrugën që është në të mirë të tyre. Kështu, qëllimi kryesor i shpifjeve të tyre shprehet me fjalët:Ne nuk kemi për t’ju besuar kurrë ju të dyve.”. Domethënë, kundërshtonin për inat e mendjemadhësi, e jo për shkak se ftesa e Musait nuk ishte e mirë apo e mbështetur me argumente nga Zoti. Nuk është se ata ishin të paqartë apo të pasigurt në vërtetësinë e Shpalljes që solli Musai. Ata thjesht ishin të padrejtë, që këmbëngulnin në inatin dhe padrejtësinë e tyre. Ata dëshironin sundimin dhe tiraninë në tokë, pra, pikërisht atë për të cilën akuzuan profetin Musa (a.s).