Select Page

Pastaj, pas tyre, Ne dërguam Musanë dhe Harunin me Argumentet Tona, te Faraoni dhe paria e rrethit të tij. Por ata treguan kryelartësi, sepse ishin popull keqbërës.Pas gjithë atyre profetëve që Zoti dërgoi në popujt mohues, që i konsideruan shpalljet hyjnore gënjeshtra e trillime, Ai dërgoi Musain, birin e Imranit. Musai quhej edhe Kelimur-Rahman, domethënë Ai të cilit Zoti i foli. Ai ishte një nga pesë profetët më të zgjedhur dhe ndër më të mëdhenjtë, të cilëve u është shpallur ligj madhështor dhe i gjerë.

Së bashku me të, Allahu i Madhëruar dërgoi edhe vëllain e tij, Harunin, si krah dhe mbështetës. Ai i dërgoi ata te Faraoni dhe paria e shtetit të tij, sepse populli ndiqte rrugën e tyre. Zoti i pajisi ata me mrekulli dhe shenja madhështore, që tregonin se mesazhi që sollën nga Zoti ishte i vërtetë. Në themel të tij ishte njësimi i Zotit në adhurim dhe largimi i njerëzve nga adhurimi i idhujve. Por ata u treguan arrogantë me padrejtësi, edhe pse kishin siguri të plotë se ato shenja dhe Shpallja ishin të vërteta nga Zoti. Ata ishin popull keqbërës, i padrejtë dhe mosbesues.