Select Page

Pastaj, pas tij, Ne u çuam të dërguar popujve të tyre.Edhe pas Nuhut (a.s), Allahu i Madhëruar dërgoi profetë, që të qortonin dhe ftonin në besimin e drejtë popujt e tyre, që nuk besonin. Ata i ftonin në udhën e drejtë dhe i këshillonin për t’u ruajtur nga rrugët e shkatërrimit e poshtërimit. Allahu i Madhëruar na tregon se Ai e ka ndihmuar çdo profet me mrekulli të qarta e madhështore, që tregonin vërtetësinë e Shpalljes dhe besnikërinë e tyre si lajmëtarë të Zotit.

Ata sollën Argumente të qarta, por ata nuk e besonin atë që më parë e kishin mohuar.Duke qenë se ata nxituan për të mohuar, kur u ardhën profetët, Allahu i Madhëruar i ndëshkoi duke ua vulosur zemrat dhe duke ua bllokuar rrugët e imanit, të cilat i kishin të hapura më parë. Kjo i ngjan ajetit tjetër kuranor: “Ne do t’ua largojmë zemrat dhe shikimet atyre, ashtu sikurse nuk e besuan atë (Shpalljen e Zotit) për herë të parë, dhe do t’i lëmë të bredhin të hutuar në shfrenimin e tyre.”. [En’am, 110]. Edhe këtu thotë në vijim:

Kështu, Ne ua vulosim zemrat atyre që i kalojnë kufijtë.I vulosim ato, që të mos hyjë asnjë mirësi. Pa dyshim, Allahu i Madhëruar nuk u bën asnjë padrejtësi, por janë ata që i bëjnë padrejtësi vetvetes, duke refuzuar të vërtetën kur i paraqitet dhe duke e quajtur që në fillim gënjeshtër e të pabesueshme.