– “Ky është një paralajmërues, si gjithë paralajmëruesit e mëparshëm.” – Edhe ky i dërguar, Muhamedi, i biri i Abdullahit, Profeti nga mesi i Kurejshëve dhe Hashimijëve, nuk është profeti i parë i dërguar ndër njerëz. Ishin të shumtë profetët e dërguar para tij, të cilët i ftuan popujt e tyre në të njëjtën fe ku i fton dhe ai. Atëherë, cili është shkaku që ju e mohoni këtë profet dhe Shpalljen që atij iu dha?
Çfarë argumenti do të paraqisni para Zotit për mohimin e Shpalljes së Tij? A nuk është morali i tij i njëjtë me moralin e të gjithë profetëve? A nuk urdhëroi ai për çdo të mirë dhe ndaloi nga çdo e keqe, ashtu sikurse bënë vëllezërit e tij profetë? Madje, ky profet solli prej Zotit të tij edhe Kur’anin madhështor, një libër të cilit e pavërteta nuk mund t’i afrohet aspak, sepse ai është Shpallje e të Urtit, të Lavdëruarit.
Allahu i Lartësuar i shkatërroi ata popuj që mohuan profetët e tyre. Atëherë, mos e harroni këtë fakt, por ruajuni që të mos ju godasë edhe ju ajo që i goditi ata që ishin para jush. Asgjë nuk e pengon ndëshkimin e të Madhëruarit kundër atyre që mohojnë më të zgjedhurin e profetëve, Muhamedin (a.s.), i cili është imami i të devotshmëve dhe udhëheqësi i popullit më të zgjedhur.