– “Është Ai që i shkatërroi adët e lashtë dhe themudët, prej të cilëve nuk mbeti asnjë.” – Adët ishin populli i profetit Hud (a.s.). Kur ata mohuan Profetin e tyre, Allahu i Madhëruar i shkatërroi me një stuhi të fuqishme. Ndërsa themudët ishin populli i profetit Salih (a.s.). Allahu i Lartësuar e dërgoi profetin Salih me mrekullinë e qartë të devesë, por populli i tij e shpërfilli këtë mrekulli dhe e vranë devenë. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar i shkatërroi ata tërësisht, duke mos lënë të shpëtojë asnjërin.