– “Për ata që largohen prej gjynaheve të mëdha dhe poshtërsive, përveç ndonjë gjynahu të vogël, s’ka dyshim se Zoti yt e ka faljen të gjërë.” – Ata zbatojnë me përpikmëri detyrimet ndaj Zotit të Lartësuar. Po të lihen pa u zbatuar këto detyrime, konsiderohet si gjynah i madh. Gjithashtu, ata u largohen të gjitha gjynaheve të mëdha, si: zinaja, konsumimi i pijeve dehëse, marrja me fajde, vrasja e padrejtë etj. Allahu i Lartësuar thotë: “përveç el lemem”. El lemem janë gjynahet e vogla dhe jo të vazhdueshme.
Pra, janë ato gjynahe, të cilat robi u kthehet herë pas here, në momente dobësie, por që ndodhin rrallë. Të tilla gjynahe nuk ia heqin robit etiketimin ‘bamirës’, nëse ai u largohet gjynaheve të mëdha. Me fjalë të tjera, nëse robi kryen detyrat dhe u largohet harameve të mëdha, Allahu i Lartësuar premton se do t’ia falë gjynahet, me mëshirën dhe faljen e Tij të gjerë, që ka përfshirë gjithçka, kur thotë: … s’ka dyshim se Zoti yt është i gjerë në falje.” Sikur të mos ishte falja dhe mëshira e gjerë e Zotit, njerëzit dhe vendet do të shkatërroheshin.
Sikur Allahu i Lartësuar, me drejtësinë e Tij, t’i ndëshkonte krijesat për gjynahet e tyre, qielli do të rrëzohej mbi tokë dhe nuk do të linte në të asnjë gjallesë. Por i Madhëruari, me mëshirën dhe bamirësinë e Tij, i mbulon të metat dhe fal shumë. Gjithashtu, Ai iu ka mundësuar njerëzve që, nëpërmjet veprave të mira, t’ua falë gjynahet, duke i pastruar prej tyre. Kështu, Profeti (a.s.) ka thënë: “Pesë namazet, nga xhumaja në xhuma apo nga ramazani në ramazan, të gjitha këto janë falje për gjynahet e kryera mes tyre, nëse ju u largoheni atyre të mëdhave.”