Shumë njerëz adhurojnë melekët apo gjëra të tjera, duke pretenduar se ata do të ndërmjetësojnë tek Allahu i Lartësuar për shpëtimin e tyre në Ditën e Gjykimit. Por Allahu i Lartësuar ua hedh poshtë këtë pretendim dhe ua ndërpret këtë shpresë, duke thënë: Sa melekë ka në qiej, ndërmjetësimi i të cilëve nuk bën asnjë dobi…”. Pra, sa e sa melekë të afërt, të nderuar dhe të mëdhenj ka në qiell, të cilët janë të pafuqishëm t’u sjellin dobi atyre që u luten dhe që shpresojnë në ndërmjetësimin e tyre. Allahu i Lartësuar nuk ka lënë në dorën e krijesave asnjë mundësi për të sjellë dëm apo dobi.
Edhe ndërmjetësimet e robërve për njëri-tjetrin, hapësirë të cilën Ai e ka lejuar, mund të hyjnë në punë veçse me dy kushte: së pari, Allahu i Lartësuar ta lejojë këtë ndërmjetësim dhe, së dyti, Allahu i Lartësuar të jetë i kënaqur me atë për të cilin do të ndërmjetësohet. Por dihet mirë se Allahu i Lartësuar nuk pranon asnjë vepër nëse nuk plotësohen dy kushte të saj: 1. ajo të kryhet me sinqeritet ndaj Allahut të Lartësuar dhe duke synuar kënaqësinë e Tij; 2. të kryhet në përputhje me porositë e Profetit të Tij. Për këto arsye, idhujtarët nuk mund të përfitojnë kurrë nga ndërmjetësimet. Ata e kanë privuar vetet nga mëshira e të Gjithëmëshirshmit.