Select Page

– “Urdhëroje familjen tënde që të falë namaz, …” – Nxite familjen tënde për të falur sa më shumë namaz, jo vetëm farzin, por edhe namaze vullnetare. Urdhri për një vepër konsiderohet si urdhër edhe për gjithçka që e plotëson atë vepër, si p.sh. mësimi i rregullave të namazit, çfarë e përkryen namazin, çfarë e prish atë etj.

… dhe ji i qendrueshëm në këtë!” – Bëhu i duruar dhe këmbëngulës në çështjen e namazit, për ta përsosur atë me të gjitha shtyllat, themelet, bazat, detyrat, synetet, si dhe me edukatën dhe frikërespektin që nevojitet për të. Sigurisht që kjo është e rëndë për njeriun, prandaj duhet ta ushtrosh veten, ta nënshtrosh atë e të përpiqesh shumë. Duhet të tregosh durim për plotësimin dhe përsosjen e namazit.

Nëse njeriu e fal namazin në formën e urdhëruar, kjo do ta bëjë që, edhe në çështjet e tjera të fesë, të jetë i kujdesshëm dhe i ruajtur. Nga ana tjetër, nëse ai shkujdeset në çështjen e namazit, për të tjerat do të jetë edhe më i shkujdesur. Pastaj Allahu i Madhëruar i tregon Profetit të Tij se e ka siguruar çështjen e rrizkut të tij. Çështja e furnizimit nuk duhet të të largojë nga çështjet e fesë. Ai thotë:

Ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim (as për ty, as për familjen tënde). Ne të furnizojmë ty (dhe ata). -Rrizku yt është në dorën Tonë dhe është i siguruar, ashtu siç kemi siguruar rrizkun e të gjitha krijesave. Kur Allahu furnizon të gjithë krijesat, atëherë si do të lërë atë që merret me çështjet e fesë dhe me lavdërimin e Tij?! Rrizku i Zotit është i garantuar për të gjithë, për të devotshmit dhe për të tjerët, prandaj njeriu duhet të angazhohet me gjërat që i japin lumturinë e përjetshme:

Përfundimi i mirë vjen nga devotshmëria.” – Përfundimi i mirë në të dyja jetët është për devotshmërinë, e cila është kryerja e urdhëresave dhe lënia e ndalesave të Zotit. Kush bën këtë, ka përfundim të mirë, siç ka thënë i Madhëruari. “Përfundimi i lumtur u takon të devotshmëve.” [Araf 128].