– “Dhe kështu e shpërblejmë Ne atë që i tejkalon të gjitha kufijtë.” – I tillë do të jetë ndëshkimi edhe për ata që kalojnë kufijtë dhe zhyten në harame dhe, nga ana tjetër:
– “… dhe nuk beson në Argumentet e Zotit të vet.” – Mohojnë shenjat dhe udhëzimin e Zotit. Ata mohojnë shpalljet e Zotit, që udhëzojnë në qëllimet më të larta dhe në rrugën e plotësimit të imanit. Shpalljet e Zotit janë shumë të qarta dhe të kuptueshme. Allahu nuk bën padrejtësi dhe kurrë nuk e zbret ndëshkimin në vend të gabuar. Shkaqet e ndëshkimit janë teprimi në padrejtësi, zhytja në mosbesim dhe mospranimi i udhëzimit.
– “Por dënimi në Botën Tjetër është edhe më i ashpër dhe i përjetshëm.” – Ndëshkimi në ahiret është shumë herë më i rëndë dhe më i dhimbshëm sesa ndëshkimi i dynjasë. Ai është i përjetshëm dhe kurrë nuk do të ndërpritet, ndryshe nga dënimi i dynjasë, që merr fund një ditë. Për këtë arsye, njeriu duhet të marrë të gjitha masat, që të ruhet nga ndëshkimi i ahiretit.