Select Page

– “Ai (Allahu) u tha: “Zbritni prej tij (xhenetit) që të gjithë! Ju do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Por, nëse ju vjen prej meje udhëzim (libër e profet), kush i përmbahet udhëzimit Tim, nuk ka për ta humbur rrugën e tij, e as nuk do të bjerë në trishtim”. – Allahu i Madhëruar tregon se Ai urdhëroi Ademin (a.s) dhe Iblisin që të zbrisnin në Tokë. Ai e porositi Ademin – dhe në këtë mënyrë të gjithë pasardhësit e tij – që të ruhen nga shejtani i mallkuar dhe ta konsiderojnë atë si armik, duke u përgatitur mirë për luftën kundër tij. Allahu njoftoi, gjithashtu, se do t’u shpallte gjithmonë libra njerëzve dhe do t’u dërgonte profetë, për t’u qartësuar rrugën e drejtë, që të çon drejt Zotit dhe në Xhenet.

Profetët do të paralajmëronin popujt që të ishin të kujdesshëm ndaj armikut të tyre të përbetuar dhe të hapur. Allahu premtoi se nëse popujt do të pasonin profetët dhe librat, duke kryer urdhëresat e duke u larguar nga ndalesat, kurrë nuk do të humbnin dhe dëshpëroheshin në të dyja jetët. Përkundrazi, kështu ata do të gjenin rrugën e drejtë dhe do të arrinin lumturinë e sigurinë nga çdo e keqe në përjetësi. Në një ajet tjetër, Allahu premton se kush ndjek udhëzimin e Tij është i ruajtur nga frika dhe brengat: “Çdokush që pranon udhëzimin Tim, nuk do të ketë frikë e as nuk do të brengoset.” [Bekare 38]. Të ndjekësh udhëzimin do të thotë të besosh mesazhin e Zotit pa patur asnjë dyshim dhe të zbatosh urdhëresat, edhe pse mund të bien ndesh me dëshirat e tua.