– “Allahu tha: “Unë do t’jua zbres (Sofrën). Por nëse dikush prej jush mohon pas kësaj, Unë kam për ta ndëshkuar atë ashtu siç nuk kam ndëshkuar askënd prej njerëzve.”. – Arsyeja e ndëshkimit është se, pasi sheh një mrekulli kaq të madhe, njeriu mohon thjesht për kokëfortësi. Allahu i Madhëruar tha se do ta zbriste atë shenjë, duke paralajmëruar se, nëse ata do ta mohonin, atëherë Ai do t’i ndëshkonte keq, por nuk thotë në ajet a e zbriti në të vërtetë sofrën apo jo. Kështu, ka mundësi që Ai të mos e ketë zbritur atë, për shkak se vetë ata nuk e kanë kërkuar më, pas atij paralajmërimi. Mbase kjo është arsyeja përse nuk është përmendur kjo ngjarje në ungjijtë e sotëm të të krishterëve.
Megjithatë, ka mundësi që sofra (ose tryeza) edhe të jetë zbritur, ashtu sikurse premtoi Zoti, dhe Ai nuk e thyen kurrë premtimin e Tij, por nuk është përmendur në ungjijtë e sotëm të të krishterëve, për shkak të harresës dhe shpërfilljes së tyre të një pjese të Shpalljes së Zotit. Ashtu siç ka mundësi që të mos jetë përmendur fare në Ungjill, por thjesht është transmetuar nga brezi në brez. Ky mendim mund të mbështetet te fjalët e dishepujve, që thanë: “…e të bëhemi dëshmues të saj!” Gjithsesi, Allahu i Lartësuar është më i Dituri për të vërtetën.