Select Page

– “Ata thanë: “Ne dëshirojmë të hamë nga ajo …” – Kjo dëshmon se ata kishin nevojë për ushqim. Përveç kësaj, ata thanë: “Duam që të na qetësohen zemrat me besim të fortë, kur të shohim këtë mrekulli madhështore dhe të prekshme. Kështu, imani ynë do të arrijë gradën ajn el jakin, pra, sigurinë e plotë për një çështje, njëlloj sikur ta shihje me sy.”

Kjo i ngjan shumë kërkesës që profeti dhe i dashuri i Zotit, Ibrahimi a.s, i bëri Atij: “Zoti im! Më mundëso të shoh se si i ngjall të vdekurit!” Ai (Zoti) i tha: “A nuk beson?!” Ai (Ibrahimi) u përgjigj: “Sigurisht që besoj, por desha që zemrës sime t’i shtohej bindja.” Ai (Zoti) tha: “Merr katër shpendë e pastaj, në çdo kodër vendos nga një pjesë të tyre; pastaj thirru atyre! Dhe ata kanë për të ardhur me shpejtësi. Dije se Allahu është i Plotfuqishëm e i Urtë”. [Bekare 260]. 

“… që të na qetësohen zemrat tona …” – Robi ka gjithnjë nevojë që të shtojë besimin, diturinë dhe sigurinë e tij në besim. Prandaj edhe dishepujt, duke sqaruar qëllimin që patën me kërkesën e tyre, thanë:

– “… të dimë me siguri të plotë se na ke thënë të vërtetën dhe të bëhemi dëshmitarë të saj!”” – Kuptimi: Kështu do të jemi më të ditur dhe të sigurt që ti je profet besnik dhe se Mesazhi që solle prej Zotit tënd është i vërtetë. Me këtë mrekulli përforcuese, ne do të jemi dëshmitarë të së vërtetës, që ti po sjell, dhe kjo do të jetë e vlefshme edhe për brezat që do të vijnë pas nesh. Me këtë dëshmi, e vërteta do të provohet më shumë dhe askush nuk do të ketë më pikëpyetje. Pasi i dëgjoi dhe e kuptoi qëllimin e dishepujve, Isai (a.s)iu përgjigj kërkesës së tyre: