Select Page

– “Juve ju është lejuar gjuetia e detit dhe çdo ushqim i tij, për t’u kënaqur ju dhe udhëtarët, …” – Pra, gjuetia në det është lejuar edhe gjatë kohës së ihramit. Lejohet si ushqimi që del i gjallë prej detit, ashtu dhe kafshët e detit të ngordhura në të. Allahu i Lartësuar  i lejoi këto ushqime, gjithashtu, me qëllim që bashkë me ne, të përfitojnë edhe shoqëruesit tanë të udhëtimit në det.

– “… por ju është ndaluar gjahu i tokës, sa të jeni në ihram!” – Nga fjala “sajd” (gjah) nënkuptohet që, së pari, gjahu të jetë kafshë e egër dhe jo e zbutur. Pra, vrasja e kafshëve të buta për ushqim nuk konsiderohet gjah. Së dyti, gjahu duhet të jetë i ngrënshëm, domethënë që lejohet të hahet. Kësisoj, vrasja e kafshëve jo të ngrënshme nuk konsiderohet si gjah për të cilin je i detyruar të kompensosh.

– “Kijeni frikë Allahun, para të Cilit do të grumbulloheni!” – Frika ndaj Allahut tregohet duke zbatuar ato gjëra të cilat Ai i ka urdhëruar dhe duke iu larguar atyre të cilat Ai i ka ndaluar. Për të qenë sa më e lehtë arritja e kësaj, duhet të kujtojmë shpesh se do të ringjallemi dhe do të grumbullohemi para Allahut, për t’u llogaritur dhe shpërblyer sipas veprave tona. Nëse tregohemi të devotshëm, të gëzohemi, se shpërblimi do të jetë i madh. Por nëse nuk jemi të tillë dhe nuk përpiqemi për të arritur frikën ndaj Allahut, atëherë do të jemi të rrezikuar nga ndëshkimi i të Drejtit.