Select Page

  Një ndër mirësitë e shumta që Allahu i Madhëruar u ka bërë robërve  të Tij është që i ka përgatitur ata për sprovat me të cilat do t’i godasë, me gjykimin dhe caktimin e Tij. Ai u tregon në Librin e Tij mënyrat e sprovimit, që ata të binden dhe të rrinë të përgatitur për çdo rast. Pas këtij paralajmërimi, çdokush do të zgjedhë shpëtimin ose humbjen, i vetëdijshëm dhe i qartë për atë që bën. Kështu, thotë i Madhëruari:

– “O ju që keni besuar! Allahu ka për t’ju provuar duke ju ndaluar nga një gjueti që e arrijnë duart dhe shigjetat tuaja, …” – Allahu i Madhëruar ka për ta vënë në provë besimin tuaj. Ai do t’ju sprovojë me diçka të vogël e të lehtë, jo me diçka të madhe e të rëndë. Kjo sprovë do të jetë si lehtësim nga Allahu i Madhëruar. Është vetë Zoti që jua mundëson gjuetinë, me shtiza dhe me duar. Pastaj Allahu i Madhëruar tregon urtësinë e këtij sprovimi:

“… që Allahu ta dallojë atë që i frikësohet Atij, kur askush nuk e sheh.” – Pra, që Allahu i Madhëruar t’jua shfaqë krijesave haptazi atë që fshihet në zemrat e tyre, dhe kështu shpërblimi dhe ndëshkimi të ngrihen mbi fakte të dukshme dhe jo thjesht mbi dijen e Allahut të Madhëruar. Kështu, Allahu i Madhëruar do t’i shfaqë ata që i frikësohen Atij edhe fshehtazi dhe që largohen nga ndalesat e Tij edhe kur e kanë mundësinë që t’i kryejnë ato, dhe më pas do t’i shpërblejë me mirësi të shumta. Ai do t’i shfaqë edhe ata të cilët nuk i frikësohen Atij, të cilët sa herë që u jepet mundësia që të gjuajnë edhe kur e kanë të ndaluar, ata e bëjnë, pa u drojtur nga Zoti dhe përgjegjësia para Tij.

– “Kushdo që e kalon kufirin pas këtij qartësimi, do të ketë një dënim të dhembshëm.” – Çdokush që i kalon kufijtë e Zotit, pasi i janë sqaruar, ai meriton dhe do të marrë një ndëshkim të dhembshëm, realitetin e të cilit e di veçse Allahu i Madhëruar. Ky ndëshkim është i meritueshëm, sepse ata nuk kanë asnjë justifikim për veprat e tyre. Devotshmëria e shpërblyeshme është ajo e fshehta, kur asnjë krijesë nuk të sheh dhe dëshmon. Ndërsa shfaqja e devotshmërisë në praninë e njerëzve, mund të jetë sa për sy e faqe, dhe njeriu nuk meriton shpërblim për këtë vepër. Pastaj Allahu i Lartësuar  e shpreh qartë ndalimin e gjuetisë gjatë kohës së ihramit (për haxh ose umre). Ai thotë: