Bindja ndaj Allahut të Lartësuar dhe bindja ndaj Profetit (a.s)janë një. Ai që i bindet Allahut i është bindur Profetit a.s, dhe ai që i është bindur Profetit i është bindur edhe Allahut. Bindja ndaj Allahut të Madhëruar dhe Profetit (a.s)arrihet me dy kushte:
1. Duke zbatuar të gjithë urdhrat dhe porositë e tyre, qofshin fjalë apo punë, të dukshme apo të brendshme, të detyrueshme apo të pëlqyeshme, për të drejtat e Krijuesit dhe Profetit të Tij, apo për të drejtat e krijesave.
2. Duke u larguar nga çdo gjë që Zoti i Madhëruar dhe Profeti e kanë ndaluar, në të gjitha drejtimet e lartpërmendura. Siç shihet, ky është një nga urdhrat më gjithëpërfshirës të të gjithë urdhrave të Zotit. Pastaj i Madhëruari e përforcon porosinë e Tij gjithëpërfshirëse, duke thënë: “…dhe kini kujdes!” Pra, ruajuni që të mos kundërshtoni urdhrat e Zotit dhe të Profetit a.s, sepse kjo sjell ligësi dhe dëshpërim të madh.
Nëse u ktheni shpinën atyre, dijeni se Profeti kishte për detyrë veçse transmetimin e qartë të mesazhit të Zotit dhe, sigurisht, që ai e kreu plotësisht detyrën e tij. Nëse udhëzoheni në rrugën e drejtë dhe përpiqeni sinqerisht për të jetuar sipas saj, kjo është në të mirën tuaj. Por nëse punoni keq dhe devijoni, kjo do të rëndojë mbi ju, sepse Allahu i Madhëruar ka për t’ju marrë në llogari.