– “Hani nga gjërat të cilat Allahu jua ka dhënë hallall e të mira …” – Hani prej të mirave, me të cilat Ai ju ka furnizuar dhe jua ka lehtësuar. Shfrytëzoni pasurinë që Zoti jua ka lehtësuar ta arrini, por me këto kushte: Së pari, të jetë e lejuar, pra, jo e marrë me mënyra të ndaluara, si vjedhja, grabitja, rrëmbimi etj. Së dyti, të jetë e këndshme, e mirë dhe e pastër. Kjo përjashton ushqimet e pista dhe jo të këndshme, si llojet e ndryshme të kafshëve mishngrënëse etj.
– “… dhe kijeni frikë Allahun, tek i Cili ju besoni.” – Kuptimi: Jini të devotshëm ndaj Allahut, të Cilin ju e besoni. Nëse imani juaj është i saktë dhe i vërtetë, ai duhet të prodhojë devotshmëri dhe kujdes të madh në plotësimin e detyrimeve ndaj Tij. Imani nuk mund të jetë i plotë pa treguar devotshmëri dhe pa i dhënë meritën Allahut të Madhëruar. Ajeti tregon se, nëse dikush vendos t’ia ndalojë vetes një ushqim të caktuar të lejuar, duke u betuar për këtë ndalesë, ai ushqim në vetvete nuk është bërë haram.
Megjithatë, nëse robi i kthehet përsëri atij ushqimi dhe e konsumon atë, atëherë ai duhet të kompensojë thyerjen e betimit. Kompensimi ndryshon sipas rasteve, të cilat sqarohen në librat e fikh-ut. Nga ajeti kuptohet, gjithashtu, se njeriu nuk duhet t’ia ndalojë vetes atë gjë që Zoti e ka lejuar dhe që nuk është e dëmshme për të. Për këtë arsye, le ta konsumojë atë, me qëllimin që ta ndihmojë vetveten për një adhurim më të mirë ndaj Allahut të Madhëruar.