Select Page

– “Ata pandehnin se nuk do të mbanin asnjë përgjegjësi për këtë; prandaj ata u verbuan e u shurdhuan.” – Të mjerët mendonin se poshtërsitë e tyre, mohimi dhe padrejtësia ndaj profetëve nuk do t’u shkaktonte ndonjë problem dhe nuk do të ndëshkoheshin. Kështu, ata vazhduan të zhyteshin thellë e më thellë në humbjen dhe në gjynahet e tyre, duke u verbuar e shurdhuar ndaj së vërtetës. Megjithatë, kur ata u penduan, i Madhëruari nuk ua humbi shpresat. Ai thotë:

– “Pastaj Allahu ua pranoi pendimin.” – Pra, pasi u penduan, Ai përsëri ua pranoi pendimin. Porta e pendimit ishte e hapur, por shumë shpejt shumica e tyre iu kthyen poshtërsive dhe shfrenimit. I Lartësuari na njofton për këtë kur thotë:

– “… por, më pas, shumë prej tyre mbetën të verbër e të shurdhër.” – Pra, shumë prej tyre iu kthyen verbërisë dhe shurdhimit ndaj fakteve. Ata u zhytën sërish në krime dhe mosbindje. Vetëm një pakicë vazhdoi në rrugën e pendimit dhe të besimit të pastër ndaj Zotit. Por të pabindurit harruan diçka shumë të rëndësishme. Ata harruan që:

– “Allahu sheh gjithçka që ata bëjnë.” – Do të vijë dita kur Allahu do të shpërblejë gjithësecilin sipas punës së tij. Nëse ke vepruar mirë e me sinqeritet për Zotin, sipas porosive të Tij dhe të Profetit të Tij, do të shpërblehesh me të mira. Por nëse i ke shpërfillur porositë e Zotit dhe ke mohuar Profetin e Tij, duke bërë punë të këqija, do të përballesh me drejtësinë e të Plotpushtetshmit.