– “Sikur t’i zbatonin Teuratin, Ungjillin dhe këtë (Kur’an) që u shpall nga Zoti i tyre, ata do të kishin gëzuar mirësi të shumta nga qielli dhe toka.” – Ky është urdhër që ata të angazhohen sinqerisht për të plotësuar porositë e të gjitha shpalljeve të Zotit. Gjithashtu, imani nuk mund të jetë i plotë pa besuar Muhamedin (a.s)dhe Shpalljen e fundit të Zotit, Kur’ânin. Nëse ata përpiqen që ta plotësojnë imanin me këtë mirësi të madhe nga Zoti i tyre, atëherë premtimi i Zotit është i mrekullueshëm: “furnizim me bollëk nga qielli dhe toka”.
Pra, Allahu i Lartësuar do t’ua shtonte të mirat atyre, do t’ua zbriste shiun nga qielli dhe do t’ua mbinte bimët nga toka, sikurse ka thënë në një ajet tjetër: “Sikur popujt e vendeve të kishin besuar (në Allahun) dhe të ishin të devotshëm, Ne do t’ua kishim hapur të gjitha llojet e begative nga qielli e nga toka, por ata mohuan (të vërtetën). Prandaj Ne i dënuam me shkatërrim, siç e merituan.” [El ea’raf 96].
– “Ka prej tyre që janë të matur, por shumica prej tyre i kanë shumë të këqija veprat që punojnë.” – Prej ithtarëve të Librit ka edhe nga ata që janë “të matur”, që punojnë me Teuratin dhe Ungjillin, por jo me gjallëri dhe përkushtim të qartë. Megjithatë, shumica prej tyre bëjnë punë të këqija dhe dalin nga porositë e Zotit. Ndërsa të lavdëruarit, që garojnë dhe synojnë gradat e larta, ata janë shumë të pakët.