Select Page

– “Vallë, mos po kërkojnë gjykimin e kohës së Padijes?” – Kuptimi: Çfarë kërkojnë ata, kur të kthejnë shpinën dhe refuzojnë t’i nënshtrohen gjykimit tënd? A mos kërkojnë gjykimin e xhahilijetit?! Gjykim injorance quhet çdo gjykim tjetër veç gjykimit të Allahut të Lartësuar dhe Profetit të Tij. Nuk ka mundësi të tretë: ose do të pranosh gjykimin e Zotit dhe të Profetit të Tij, ose do të ndjekësh gjykimin e injorancës.

Ai që i kthen shpinën të parit, sigurisht që do të sprovohet me të dytin, i cili është gjykim i ngritur mbi paditurinë e padrejtësinë. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar  e quan “gjykim injorance”. Ndërsa gjykimi i Allahut të Lartësuar është i ndërtuar mbi diturinë e madhe, drejtësinë absolute, barazinë dhe mirësinë, mbi dritën dhe udhëzimin e qartë, siç thotë i Lavdëruari:

  “Por a ka gjykim më të mirë se ai i Allahut, për një popull që beson bindshëm?” – Kuptimi: Vetëm ata që Zoti i ka pajisur me siguri të plotë, të bazuar në dijen e vërtetë të dhuruar nga Zoti, vetëm ata dinë të bëjnë dallimin mes dy llojeve të gjykimit. Ata dinë të dallojnë bukurinë, mrekullinë, dobinë dhe mirësinë që gjendet në gjykimin e Allahut. Në këtë mënyrë, bëhet detyrë për ta pasimi i gjykimit të Allahut, sepse ky gjykim është në përputhje edhe me ligjet e logjikës.