– “Gjyko mes tyre me atë që ka shpallur Allahu dhe mos paso dëshirat e tyre të kota e të largohesh nga e vërteta që të erdhi!” – Gjyko mes tyre me librin që Zoti të shpalli ty dhe mos paso orekset e tyre të prishura, që kundërshtojnë të vërtetën e shpallur nga Zoti. Kurrë mos prano të shkëmbesh të vërtetën me të kotën dhe të braktisësh mirësinë e dhuruar nga Zoti yt!
– “Për secilin prej jush, Ne caktuam Ligj e program.” – Për çdo popull, Allahu i Lartësuar përcaktoi rrugë dhe ligje. Në fakt, në themel, të gjithë profetët kanë patur një ligj të përbashkët, por ka patur edhe disa ligje të veçanta, në varësi të popujve të tyre. Kryesisht, këto ligje të veçanta janë të tilla që e pranojnë ndryshimin në varësi të kohës, vendit dhe gjendjes së shoqërive, por gjithmonë kanë qenë urtësi dhe udhëzim i drejtë për ta. Megjithatë, bazat themelore të besimit dhe të ligjeve kanë qenë të pandryshueshme dhe të përbashkëta për të gjithë popujt dhe profetët e Zotit.
– “Sikur të kishte dashur Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm (në fe), por deshi t’ju sprovonte me atë që ju ka dhënë…” – Nëse do të dëshironte Allahu i Madhëruar, Ai do t’i bënte të gjithë popujt t’i nënshtroheshin një Sheriati të vetëm, pa asnjë ndryshim mes të parëve dhe të fundit. Por Allahu deshi që t’i sprovonte njerëzit dhe të vështronte se si do të vepronin ata. Allahu i Madhëruar ka caktuar ligje që u janë përshtatur popujve përkatës dhe me qëllim që ata të garonin me njëri-tjetrin, se kush e kush të afrohej më shumë tek Ai, prandaj i Lartësuari thotë:
– “Prandaj garoni për punë të mira!” – Garoni dhe përsosini veprat tuaja të mira. Punët e mira përfshijnë veprat e detyruara dhe ato të pëlqyeshme, qofshin ato në drejtim të përgjegjësive ndaj Zotit, qofshin në lidhje me përgjegjësitë ndaj njerëzve e krijesave. Njeriu duhet të jetë garues dhe ambicioz veçse në dy gjëra:
1. në shpejtësinë e kryerjes së veprave të mira, duke shfrytëzuar menjëherë rastin që i jepet për to, dhe:
2. në përpjekjet për t’i kryer veprat e mira në formën dhe mënyrën më të plotë e të saktë. Kjo tregon se është detyrë të shpejtohet për ta falur namazin në fillimin e kohës, e po kështu çdo adhurim tjetër. Gjithashtu, njeriu nuk duhet të mjaftohet duke i kryer adhurimet aq sa të heqë detyrimin nga shpina, pra vetëm veprat e domosdoshme, por duhet të përpiqet që të kryejë edhe detajet e pëlqyeshme, që adhurimi të jetë i plotë. Në këtë mënyrë, realizohet garimi në plotësimin e urdhrave të Zotit.
– “Tek Allahu është kthimi i ju të gjithëve dhe Ai do t’jua tregojë të vërtetën e çështjeve për të cilat ju kishit kundërshtime.” – Popujt e shkuar dhe ata që do të vijnë deri në Ditën e Fundit, Allahu i Gjithëfuqishëm do t’i tubojë të gjithë së bashku. Atë ditë do të ndahet e vërteta nga e kota, e drejta nga e gabuara, dhe Allahu i Madhërishëm do t’u tregojë krijesave për gjithçka që ata kishin kundërshtime, për sa i përket zbatimit të ligjeve dhe gjykimit me to. Ata që kanë përqafuar të vërtetën dhe kanë bërë vepra të mira e të sinqerta, Allahu i Madhëruar do t’i shpërblejë me bujarinë e Tij. Ndërsa pasuesit e epsheve dhe gjynahqarët, Allahu do t’i ndëshkojë sipas drejtësisë dhe urtësisë së Tij.
– “Gjyko mes tyre me atë që ka shpallur Allahu!” – Për këtë ajet është thënë se ai shfuqizoi ajetin 42 të kësaj sureje, ku thuhet: “Në qoftë se vijnë te ti (për ndonjë gjykim), gjyko mes tyre (me ligjin e Zotit) ose distancohu prej tyre. Nëse distancohesh prej tyre, ata nuk mund të të bëjnë ty asnjë të keqe. Por nëse gjykon mes tyre, gjyko me drejtësi, sepse Allahu i do ata që gjykojnë me drejtësi.”
Pra, pas këtij ajeti, nuk lejohet që i pyeturi të mos japë gjykim për çështjen që pyetet. Atij i duhet të gjykojë me ligjin që ka shpallur Allahu i Madhërishëm. Megjithatë, mendimi më i saktë është se ajeti 42 nuk është i shfuqizuar, pasi ai tregon se Profeti (a.s)ishte i lirë të gjykonte ose jo mes palëve, në rastin kur ata nuk synonin vërtet të gjykoheshin sipas Sheriatit, por donin ndonjë gjykim që u shkonte sipas qejfit.
Ndërsa ky ajet që po komentohet tani tregon që, nëse i pyeturi zgjedh që të gjykojë mes palëve, atëherë ai duhet të gjykojë sipas Kur’ânit dhe Sunetit, pra, të gjykojë “me drejtësi”, ashtu sikurse u shpjegua në ajetin 42. Fjala “drejtësi” nënkupton që gjykimi duhet të bazohet te Shpallja hyjnore, sepse kështu thotë Zoti: “Gjyko mes tyre me atë që ka shpallur Allahu”. Kështu, çdo gjykim tjetër është shtrembërim dhe padrejtësi.
– “Mos ndiq dëshirat e tyre të kota …” – Allahu i Lartësuar e përsërit urdhrin për të mos ndjekur dëshirat e shfrenuara të tyre, për shkak të rrezikshmërisë që kanë. Në ajetin tjetër porositej për mosndjekjen e pasioneve të tyre në fushën e gjykimit dhe të dhënies së fetvasë, ndërsa në këtë ajet bëhet fjalë vetëm për fushën e gjykimit mes tyre. Gjithsesi, në të dyja rastet është detyrë mbështetja në të vërtetën dhe mosndjekja e orekseve të njerëzve që e kundërshtojnë të vërtetën. I Madhëruari e përforcon edhe më tej këshillën, kur thotë:
– “… dhe ruaju rrezikut të tyre, që mos të të shmangin nga ndonjë pjesë e Shpalljes që ta ka zbritur Allahu!” – Kuptimi: Ki shumë kujdes, që të mos mashtrohesh nga ata. Ji i kujdesshëm, që ata mos të të sprovojnë, lëkundin dhe të të pengojnë nga Shpallja e Zotit tënd. Pasimi i dëshirave të tyre bëhet shkak që ti të lësh të vërtetën, ndërkohë që duhet të ndodhë e kundërta.
– “Nëse ata refuzojnë, dije se Allahu do që t’i ndëshkojë për disa nga gjynahet e tyre.” – Nëse ata refuzojnë t’i nënshtrohen të vërtetës dhe i kthejnë shpinën rrugës tënde, dije se ky është një ndëshkim nga Allahu i drejtë për ta. Kështu i ndëshkon Allahu i Madhëruar gjynahqarët zullumqarë. Gjynahet janë shkaktarë të ndëshkimeve dhe sprovave të kësaj dynjaje dhe të jetës tjetër. Ndër të këqijat më të rrezikshme që sjellin gjynahet është kur robit i zbukurohet braktisja e rrugës dhe traditës së Profetit a.s.
– “Dhe vërtet, shumica e njerëzve janë jashtë rrugës.” – Natyra e tyre është tjetërsuar dhe tashmë atyre u është zbukuruar shkelja e kufijve të Zotit dhe mosndjekja e rrugës së Profetit a.s.