Select Page

– “Ne i urdhëruam ata në Teurat: “Jeta me jetë, syri me sy, hunda me hundë, veshi me vesh, dhëmbi me dhëmb dhe plaga me masë (të drejtë) ndëshkimore.” – Këto janë disa ligje me të cilat gjykonin profetët dhe dijetarët e vjetër. Allahu i Madhëruar i urdhëroi ata që, nëse dikush vret dikë pa të drejtë, me paramendim dhe është mukâfiun 37, atëherë ai duhet të vritet. Gjithashtu, syri të nxirret për syrin e nxjerrë, veshi për veshin, dhëmbi për dhëmbin etj. Këtu janë përmendur disa organe për të cilat është i mundur shpagimi në të njëjtën masë, pa e tepruar. Edhe në rastin e plagëve, shpagimi bëhet me të njëjtën masë.

Nëse dikush plagos dikë me qëllim, ai plagoset njëlloj dhe në të njëjtën masë, si në drejtim të gjatësisë së plagës, ashtu edhe në drejtim të gjerësisë, thellësisë, vendit të saj etj. Le të mësohet se ligjet e popujve para nesh konsiderohen si ligje edhe për ne, nëse nuk ka argument në Sheriatin tonë që të zhvleftësojë dhe pengojë atë.38

– “Por, për atë që fal, ka shlyerje gjynahesh.” – Pra, nëse dikush e fal gjakun, plagët ose dëmin që i kanë shkaktuar, pasi është  vërtetuar e drejta e tij e plotë për të marrë shpagim, kjo konsiderohet si bamirësi kundrejt dëmtuesit. Nëse njeriu fal, edhe Allahu i Madhëruar, i Cili është Falësi më i madh dhe i Gjithëmëshirshëm, e fal dëmtuesin. Gjithashtu, Allahu i Madhëruar është Falës dhe i Mëshirshëm edhe për falësin e bamirësin: ashtu sikurse ai e fal dëmtuesin, ashtu edhe Allahu ia fal atij gabimet që mund të ketë kryer.

  “Ata që nuk gjykojnë me atë që ka shpallur Allahu, ata janë të padrejtë.” – Ibn Abasi ka thënë: “Ka mohim e mohim, zullum e zullum, teprim e teprim!”. Pra, jo të gjitha llojet e mohimit, zullumit dhe teprimit janë në të njëjtin nivel. Ato nuk janë në të gjitha rastet gjynahe që të nxjerrin nga Islami, ose që e bëjnë vepruesin e tyre të meritojë përjetësinë në Zjarr. Zullumi të nxjerr nga Islami nëse gjynahqari e konsideron dhe e beson një haram që e bën, si diçka hallall dhe të lejuar. Ndërsa në të kundërt, nëse e beson dhe e pranon se veprimi është padrejtësi dhe i ndaluar, atëherë veprimi i tij quhet si gjynah i madh.

37 Pra i të njëjtit nivel me të vrarin. Kështu besimtari nuk vritet për qafirin.

38 Këto ligje bëhen argument për ne  për shkak të pohimit dhe miratimit të tyre nga  sherijati ynë.