Select Page

– “Vjedhësit dhe vjedhëses ua prisni duart,” – ‘Vjedhës’, që meriton këtë ndëshkim të përcaktuar në Sheriat, quhet ai që merr pasurinë e vlefshme të tjetrit fshehtazi dhe pa pëlqimin e pronarit të saj. Vjedhja është një gjynah i madh, që ka ndëshkim të ashpër dhe poshtërues, prerjen e dorës së djathtë, ashtu siç vjen në variantin e leximit të këtij ajeti nga disa sahabë. Me fjalën “dorë”, kur nuk përcaktohet, kuptohet gjymtyra e dorës deri te kyçi.

Kështu, nëse dikush vjedh, atij i pritet dora deri te kyçi, si ndëshkim, dhe i zhytet në vaj të nxehtë, që të mbyllen damarët dhe të mos humbasë gjak. Ky ajet përfshin në kuptimin e tij çdo rast vjedhjeje, por Suneti i Profetit (a.s)e kufizon atë në disa aspekte, si dhe përcakton disa kushte shtesë, për ta bërë të meritueshëm prerjen e dorës së vjedhësit:

1. Ruajtja. Pra, pasuria e vjedhur duhet të ketë qenë e ruajtur dhe e fshehur mjaftueshëm nga pronari i saj. Nëse është vjedhur diçka që nuk ka qenë e fshehur, por e thjeshtë për t’u gjetur, në një rast të tillë nuk ekzekutohet dënimi i prerjes së dorës.

2. Masa e pasurisë së vjedhur. Pra, jo për çdo masë pasurie të vjedhur meritohet prerja. Masa e përcaktuar nga Sheriati është një çerek dinari (floriri), ose 3 dirhemë (argjendi), ose masa e përafërt me to. Nëse dikush vjedh një masë pasurie më të vogël se kaq, atëherë nuk meriton prerjen e dorës. Në fakt, edhe fjala ‘vjedhje’ në vetvete të jep të kuptosh se bëhet fjalë për marrje të një pasurie të fshehur ose, në të kundërt, ajo nuk quhet ‘vjedhje’ me kuptimin e përcaktuar nga Sheriati.

Po kështu, urtësia tregon se dora nuk mund të pritet për diçka të parëndësishme dhe të pavlerë. Pra, edhe nëse nuk do të kishim argument nga Suneti i Profetit a.s, atëherë thjesht dhe vetëm urtësia dhe qëllimet e Sheriatit do të mjaftonin si kufizime të këtij ajeti të përgjithshëm. Urtësia e ligjërimit të prerjes së dorës për krimin e vjedhjes është ruajtja e pasurisë së njeriut dhe sigurimi i saj.

Kështu, gjymtyra me të cilin kryhet krimi duhet të pritet. Nëse ky kriminel vjedh përsëri, i pritet këmba e majtë. Nëse përsëri vjedh, atëherë për këtë ka dy mendime: ose i pritet dora e majtë, pastaj këmba e djathtë, ose burgoset derisa të vdesë. Allahu i Lartësuar thotë:

– “… si ndëshkim për veprën e kryer dhe si dënim nga Allahu.” – Prerja e dorës është si ndëshkim për hajdutin, për krimin e vjedhjes së pasurisë së njerëzve, dhe si frikësim i hajdutit dhe i të tjerëve për t’u frenuar dhe larguar nga krimi. Nëse njerëzit shohin ndëshkimin e vjedhjes dhe sigurohen se ashtu do t’u ndodhë po e kryen ata, sigurisht do të frenohen dhe do të ndalen nga ky krim.

– “Allahu është Ngadhënjimtar e i Urtë.” – I Madhëruari është Krenar dhe i Pamposhtur, prandaj askush nuk duhet t’i thyejë ligjet e Tij. Ai është i Urtë, dhe urtësia e Tij kërkon që dënimi i vjedhësit të jetë prerja e dorës.