Select Page

“… Në rrugën e Allahut, të Cilit i takon ç’ka në qiej dhe ç’ka në Tokë.” – Rruga e drejtë është rruga që Allahu, Krijuesi dhe Sunduesi i qiejve dhe Tokës e solli dhe e bëri të qartë për njerëzit, nëpërmjet profetëve të Tij dhe librave të shenjtë. Vetëm kjo është rruga që të çon tek Ai dhe të fut në Xhenetin e mirësive. Për këtë arsye, le të zgjedhë gjithësecili rrugën dhe fjalët ku bazohet. Por le të kujtojë edhe një fakt shumë të rëndësishëm:

– “Ta dini, se tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.” – Le të kujtojmë vazhdimisht se, do të vijë një ditë, kur të gjitha veprat tona do të llogariten nga i Drejti e i Gjithëdituri. Nëse kemi punuar mirë dhe sipas besimit të drejtë të bazuar në Librin e Allahut, shpërblimi ynë do të jetë Xheneti dhe kënaqësia e përjetshme pranë Krijuesit. Por nëse kemi shpërfillur Shpalljen e Allahut dhe nuk kemi punuar me sinqeritet, atëherë fundi do të jetë Xhehenemi – Allahu na ruajtë prej tij!

Këtu përfundon tefsiri i sures Esh-shûrâ. Falënderimi dhe lavdia e plotë i qoftë Allahut të Madhërishëm, fillim e mbarim, haptas dhe fshehtas, për lehtësimet dhe dhuratat e Tij bujare!