– “Vetëm Allahut i takon pushteti i qiejve e i Tokës..” – Pushteti i qiejve e i tokës është në dorë të Allahut. Ai krijon çfarë të dojë dhe vepron në krijimin e Tij si të dëshirojë. Nuk ndodh asgjë në këtë gjithësi pa lejen dhe fuqinë e Tij. Është Allahu që rregullon çështjet e krijesave, me urtësinë dhe mëshirën e Tij, qoftë për gjërat më të vogla në dukje. Madje, Ai ka nën kontroll edhe ato çështje, sebepet e të cilave i ka lënë në dorë të krijesave. Është e vërtetë që njerëzit martohen me njëri-tjetrin për të bërë fëmijë, por është i Gjithëdituri e i Urti Ai që përcakton se çfarë do t’u japë ose nuk do t’u japë atyre. Kështu, i Madhërishmi thotë:
– “Ai krijon çfarë të dojë. Ai i fal vajza atij që Ai do, e i fal djem, atij që Ai do. Ose fal edhe djem, edhe vajza. Ndërsa atë, që Ai dëshiron, e lë pa fëmijë.” – Me urtësinë e Tij, Allahu i Lartësuar i fal vetëm vajza dikujt që Ai dëshiron, ndërsa dikujt tjetër i fal vetëm meshkuj; ose i fal edhe djem, edhe vajza. Po ashtu, dikë tjetër, – siç Allahu dëshiron, – e lë pa fëmijë. Çdo përcaktim i Allahut fsheh urtësi që ne nuk i dimë. Ai është i Urtë e i Gjithëditur, prandaj ne duhet të kënaqemi gjithmonë me përcaktimin e Tij dhe t’i shprehim mirënjohjen tonë për çdo gjë. Mirënjohësit janë të lumtur në çdo gjendje, ndërsa përçmuesit kurrë nuk kënaqen.
– “Ai është i Gjithëditur, i Plotpushtetshëm.” – Allahu është i Gjithëditur për krijesat e tij dhe i Plotpushtetshëm për gjithçka që dëshiron. Ai ka përcaktuar çdo gjë me përpikmëri dhe saktësi.