Select Page

– “Dhe kujtoni kur ju thatë: “O Musa! …” – Kujtoni pra, kur ju i’u drejtuat Musait për t’i treguar se ishit mërzitur dhe velur nga mirësitë e Allahut, duke treguar një lloj shpërfilljeje dhe pakënaqësie për to. Kështu, ju i thatë atij:

– “Ne nuk mund të durojmë vetëm një lloj ushqimi. Lute Zotin tënd për ne, që të na japë perime që rrit toka: tranguj, hudhra, thjerrëza dhe qepë!” – Kuptimi: Nuk kemi për të duruar të njëjtin ushqim gjithmonë. Ato, në fakt, ishin shumë lloje, por përsëriteshin herë pas here. Kështu, ata filluan të numëronin disa lloje perimesh të gjelbra, si: tranguj, hudhra, thjerrëza dhe qepë.  Atëherë, Musai u thotë:

“A po preferoni ato që nuk kanë vlerë kundrejt atij ushqimi që është më i mirë?!” – Kuptimi: A po kërkoni të konsumoni këto ushqime, në vend të asaj që është më e mirë, të cilën jua dhuronte Allahu i Lartësuar? Kjo vërtet është e çuditshme.

– “Atëherë, zbrisni në çdo qytet, se atje, pa dyshim, do t’i gjeni ato që kërkoni!” – Kuptimi: Në çdo qytet që të shkoni, keni për t’i gjetur ato ushqime që ju kërkoni, por ushqimi që ju falte Allahu i Lartësuar është më i miri dhe më i pëlqyeshmi. Atëherë, si mund ta kërkoni këtë shkëmbim?! Kjo kërkesë dhe veprat e tjera të kryera nga ata ishin argumente të qarta, që tregonin durimin e pakët të tyre, mospërfilljen e theksuar ndaj dispozitave të Allahut të Lartësuar dhe mosmirënjohjen e tyre ndaj mirësive të Tij. Në përfundim, Allahu i shpërbleu sipas sjelljes së tyre të poshtër.

– “Mbi ta rëndoi poshtërimi dhe skamja. Ata e merituan zemërimin e Allahut” – Ata i kapi poshtërimi, që ishte diçka e dukshme me sy, dhe, njëkohësisht, u hyri ‘varfëria’ në zemër. Shpirtrat e tyre nuk e provuan kurrë krenarinë dhe lartësinë. Ata kurrë nuk patën vullnet dhe ambicie të larta, sepse shpirtrat e tyre ishin të ulët, dhe të tilla ishin edhe synimet e tyre. Me kërkesat që parashtronin, ata nuk përfituan gjë tjetër, përveç zemërimit të Allahut të Lartësuar.  Fitimi më i ndyrë ishte fitimi i tyre, dhe gjendja më e poshtër ishte gjendja e tyre. Ata e merituan këtë zemërim të Allahut, për shkak të mohimit të argumenteve dhe mospërfilljes të tyre, siç  thotë i Madhëruari:

– “Kjo, sepse ata i mohonin argumentet e Allahut …” – Domethënë, zemërimi i Allahut me ta erdhi si pasojë e mohimit nga ana e tyre të argumenteve që tregonin të vërtetën dhe që e qartësonin atë. Kur ata mohuan, atëherë ndëshkimi i meritueshëm ishte zemërimi i Allahut ndaj tyre. Një shkak tjetër për këtë zemërim ishte edhe vrasja e profetëve prej tyre. A ka padrejtësi më të madhe se kjo?! Thotë i Lartësuari:

– “… dhe i vrisnin profetët pa kurrfarë të drejte.” – Fjala e Allahut: “pa kurrfarë të drejte”, tregon peshën e madhe të kësaj padrejtësie. Ndonëse dihet që vrasja e një Profeti nuk mund të jetë kurrë e drejtë, kjo fjalë është thënë me qëllim që askush të mos mendojë se ata e kanë bërë këtë vepër pa dije, apo nga paqartësia e tyre. Përkundrazi, ata e bënin këtë punë të shëmtuar me vetëdije të plotë dhe të bindur në atë që bënin. Kësisoj, të gjitha pasojat ishin rezultat i poshtërsive dhe i mosbindjes së tyre ndaj Allahut të Lartësuar, siç  thotë Ai:

– “… dhe për shkak të mosbindjes (ndaj Zotit) dhe të shfrenimit (të tyre) në shkeljen e kufijve (të Zotit). – Pra, e gjithë kjo ndodhi sepse ata ishin të pabindur. Ata ishin gjithmonë armiqësorë ndaj adhuruesve të Allahut të Lartësuar.   Gjynahet dhe mosbindja shkaktojnë njëra-tjetrën dhe bëhen nxitje për njëra tjetrën. Hapi i parë drejt shkatërrimit është pakujdesia ose nënvleftësimi, i cili sjell së pari gjynahet e vogla, ndërsa të voglat sjellin më pas të mëdhatë.

Pastaj, këto rrjedhojnë në larmi formash të bidatit, kufrit etj. E lusim Allahun të na ruajë nga çdo lloj belaje dhe sprove të tillë. Këto ajete u drejtoheshin judejve që ishin të pranishëm gjatë kohës kur shpallej Kur’âni. Këto vepra ishin pikërisht “bëmat” e të parëve të tyre, të cilat u përmendeshin për arsye të shumta, ndër të cilat:

1. Hebrenjtë shpesh lëvdonin veten, duke pretenduar se ishin pa të meta e, madje, më të mirë se Muhamedi (a.s.) dhe besimtarët që ndoqën rrugën e tij. Atëherë, nëpërmjet Profetit (a.s), Allahu i Lartësuar ua kujtoi se çfarë kishin bërë të parët tyre, që edhe ata vetë i pranonin, madje ishin të sigurt për to. Rrëfimet në Kur’ân ua bënin të qartë se të parët e tyre, me të cilët ata lëvdoheshin, nuk ishin aq të durueshëm dhe me morale të larta, por ishin njerëz pa vullnet dhe gjithmonë të thyeshëm përpara sprovave. E pra, nëse gjendja e të parëve të tyre, me të cilët ata lëvdoheshin, kishte qenë e tillë, atëherë si mund të ishte gjendja e brezit të kohës kur vinte Shpallja?!

2. Këto ngjarje u përmendeshin atyre për t’u rikujtuar mirësitë që Allahu i Lartësuar u pati dhënë të parëve të tyre. Normalisht, mirësitë ndaj paraardhësve konsiderohen si mirësi edhe ndaj pasardhësve. Kështu, përmendja e këtyre mirësive vlente si vërejtje edhe për çifutët e brezit aktual.

3. Fakti që Allahu i Lartësuar i drejtohej këtij brezi, me qëllim që të merrte mësim prej brezit të shkuar, tregon se pjesëtarët e një bashkësie fetare janë ndihmues dhe plotësues të njeri tjetrit. Përparimi i njërit sjell edhe përparimin e tjetrit, sikurse edhe prapambetja e njërit sjell domosdo prapambetjen e tjetrit. Veprat e mira të kryera nga njëri grup, sjellin përfitim dhe mirësi për të gjithë umetin, ashtu sikurse edhe veprat e këqija të njërit sjellin fatkeqësi dhe dënim për të gjithë të tjerët.

Në rastin konkret, ata nuk hoqën dorë nga shumë vepra të këqija dhe nuk e qortonin njëri-tjetrin për t’u frenuar prej tyre. Rrjedhimisht, kush tregon miratim dhe kënaqet me një gjynah, është pjesëmarrës dhe bashkëpunëtor në atë gjynah. Megjithatë, përveç këtyre që përmendëm ne, ka edhe shumë arsye e urtësi të tjera.