– “Ata u ruhen gjynaheve të mëdha e veprave të shëmtuara …” – Cilësi tjetër e atyre që meritojnë premtimin e të Madhërishmit për të hyrë në Xhenet është edhe largimi nga gjynahet e mëdha dhe veprat e pista. Këtu janë përmendur dy gjëra: kebâiral ithmi – gjynahet e mëdha dhe el feuâhish – veprat e pista. Te gjynahet e mëdha hyjnë edhe veprat e pista, por këtu ato janë përmendur veçmas për të treguar rëndësinë e ndalimit të tyre. Ndryshimi mes të dyjave qëndron në faktin se el feuâhish quhen ato gjynahe të mëdha që nxiten nga nefsi ose nga tundimi i tij, si, për shembull, imoraliteti etj. Ndërsa gjynahet e tjera të mëdha nuk janë të tilla. Nëse përmenden së bashku, dallimet janë këto që sapo përmendëm, e nëse përmenden të veçuara ato përfshijnë njëra-tjetrën.
– “…dhe kur zemërohen, ata falin.” – Ata kanë cilësitë më të larta dhe virtytet e njerëzve më të mirë. Kështu edhe të falurit e tjetrit është cilësi e tyre, pjesë e karakterit të tyre. Kur dikush i zemëron me fjalë apo me vepra, ata nuk e shprehin këtë dhe nuk ndërmarrin veprime për ta shkarkuar zemërimin e tyre, por përkundrazi, e mbajnë të fshehur në shpirt, madje, çfarë është më e mrekullueshme, ata dinë të falin, ta justifikojnë tjetrin dhe të tolerojnë me mirësjellje. Ata dinë t’i përgjigjen padrejtësisë veçse me falje dhe bamirësi. Me virtytin e lartë të të falurit arrihen shumë mirësi dhe u pritet rruga të këqijave të pallogaritshme. Shpirti i atij që fal gjen qetësi dhe lumturi, kurse ai që falet merr një mësim të mirë për mëshirën dhe faljen. Kështu mbillet dashuria dhe respekti, falja dhe toleranca në zemrat e njerëzve. Ky është morali i muslimanit me krijesat e Zotit, sikurse thotë i Gjithëdituri: “E kush është më fjalëmirë se ai që thërret njerëzit në rrugën e Allahut, që bën vepra të mira dhe që thotë: “Unë jam musliman.”? E mira nuk mund të jetë e barabartë me të keqen. Largoje atë (të keqen) me çfarë është më e mirë, sepse atëherë, edhe ai, me të cilin ke njëfarë armiqësie, do të të bëhet mik i afërt. Mirëpo këtë nuk mund ta arrijë askush, përveç atyre që janë durimtarë; dhe askush, përveç atyre që kanë fat të madh. E, nëse ndonjëherë ty të bëhet ndonjë ngacmim prej Shejtanit, kërkoi mbrojtje Allahut, sepse Ai është Gjithëdëgjuesi e i Gjithëdituri.” [Fussilet 33-36].