Select Page

“Po të dojë Ai, e ndal erën, dhe ato (anijet) ngelin të palëvizshme mbi sipërfaqen e ujit.” – Pra, nëse Allahu i Lartësuar ua ndalon erën, ato qëndrojnë në vend e nuk lëvizin. Dikush mund të përmendë anijet e sotshme, që punojnë me karburant, por edhe ato nuk mund të funksionojnë nëse mungojnë kushtet fizike, të cilat është i Gjithëdituri dhe i Gjithëmëshirshmi që i ka krijuar të tilla.

“S’ka dyshim se këto fakte vlejnë për çdo durimtar e mirënjohës.” – Të tilla fakte i shohin veçse ata që kanë dy cilësi:

1. Ata, me durim, qëndrojnë të patundur në bindjen ndaj Zotit. Ata nënshtrojnë nefsin e tyre, që të kryejnë adhurimet ndaj Allahut të Lartësuar, edhe pse kjo mund të duket e vështirë. Duke duruar, ata arrijnë ta kontrollojnë nefsin e tyre, që ai të mos lëshohet në harame dhe që ai të jetë gjithmonë i kënaqur me caktimet e dhimbshme, me të cilat Zoti sprovon njerëzit. Në këtë mënyrë, ata ushtrojnë të trija llojet e durimit, që janë: durimi për kryerjen e urdhëresave të Zotit, durimi për largimin nga haramet dhe durimi për të qenë i kënaqur me caktimin e Zotit, i mirë apo i hidhur qoftë ai.

2. Ata janë mirënjohës të vazhdueshëm për dhuratat e Allahut, mirënjohje që shprehet me nënshtrim dhe adhurim të sinqertë ndaj Tij. Këta janë njerëzit që mund të përfitojnë nga shenjat e Allahut. Ndërsa ata që nuk kanë durim dhe nuk tregojnë mirënjohje për mirësitë e Allahut, ata janë kundërshtarë dhe mosbesues, që i kanë kthyer shpinën argumenteve të Allahut dhe që nuk përfitojnë prej tyre.