Select Page

“Nga Shenjat e Tij është krijimi i qiejve dhe i Tokës, bashkë me gjallesat e shpërndara në ato të dyja.” – Allahu i Lartësuar përmend disa nga shenjat madhështore, që dëshmojnë për fuqinë absolute të Tij për të bërë gjithçka dhe për faktin se Ai do t’i ringjallë krijesat pas vdekjes së tyre. Ndër këto shenja është edhe krijimi i qiejve dhe i Tokës, me madhështinë dhe gjerësinë e tyre. Këto krijesa janë dëshmi e fuqisë së Tij të plotë për të bërë gjithçka. Përpikmëria dhe rregullsia e pabesueshme në to tregojnë, gjithashtu, për dijen dhe urtësinë e madhe të Allahut. Mirësitë dhe dobitë e vendosura në to tregojnë për mëshirën dhe bujarinë e Tij. Shenja të mrekullueshme mund të gjejmë edhe në krijesat që Ai ka vendosur dhe shpërndarë në qiej e në Tokë, të cilat janë krijuar për dobinë e njerëzve dhe në ndihmë të tyre. Të gjitha këto tregojnë se Ai është i Vetmi që meriton të gjitha llojet e adhurimeve, dhe askush tjetër veç Tij. Çdo adhurim i përkushtuar ndaj dikujt tjetër është i kotë dhe i papranueshëm. Çdo gjë e adhuruar veç Allahut është e kotë dhe e gënjeshtërt.

“Me Fuqinë e Tij, Ai mund t’i grumbullojë ato kur të dëshirojë.” – Ai që krijoi këto krijesa madhështore dhe të dobishme, Ai është i Plotpushtetshëm për t’i tubuar ato sërish pas vdekjes dhe sërish të gjallë në Ditën e Gjykimit. Është plotësisht e mundur logjikisht që Allahu i Lartësuar t’i ringjallë dhe llogarisë njerëzit, sepse pushteti dhe drejtësia e Tij janë të plotë. Por që të besojmë se një gjë e tillë do të ndodhë vërtet, kjo ka nevojë për lajme të sigurta prej Tij. Dhe, sigurisht, janë të shumta transmetimet e sigurta që vijnë prej Zotit, të cilat vërtetojnë pa as më të voglin dyshim se kjo ngjarje e madhe do të ndodhë. Për këtë ngjarje kanë folur të gjithë të dërguarit e Zotit dhe e gjen të përmendet në të gjithë librat qiellorë.