Select Page

“Atij që dëshiron të fitojë Botën Tjetër, Ne do t’ia shtojmë shpërblimet (e punëve të tij),…” – Çdokush që synon shpërblimin dhe mirësitë e ahiretit, duke i besuar ato dhe duke u përpjekur ashtu si duhet për arritjen e tyre, ka premtimin e pakthyeshëm se Allahu i Lartësuar do t’ia shtojë dhe shumëfishojë shpërblimin e punëve të tij. Në një ajet tjetër, i Lartësuari thotë: “Ndërsa ai që ka për qëllim Botën Tjetër, duke qenë besimtar dhe përpiqet për të ashtu si i takon asaj, përpjekjet e tij do të jenë të shpërblyeshme. [Isra 19]. Një njeri i tillë, edhe pse angazhohet me çështjet e ahiretit, nuk do humbë gjë nga pjesa e dynjasë, por do t’i jepet me bujari dhe mirësi.

– “…ndërsa atij që dëshiron vetëm këtë botë, Ne kemi për t’i dhënë (diçka) prej saj, por në Botën Tjetër ai nuk ka pjesë (në shpërblimin e Zotit). – Ndërsa ata që duan vetëm jetën e dynjasë, ata që me përpjekjet dhe mundin e tyre kanë qëllim vetëm këtë jetë, ata që nuk e besojnë ahiretin dhe nuk përpiqen për të, ata që nuk shpresojnë për shpërblimin në ahiret dhe nuk i ruhen ndëshkimit në të, ata kanë për të marrë prej kësaj dynjaje, – siç thotë Allahu i Lartësuar, – veçse atë që e kanë për pjesë nga ajo. Ndërsa në ahiret, ata nuk do ta shijojnë kurrë Xhenetin, nuk do të jetojnë mes mirësive të tij. Ata e kanë të ndaluar hyrjen në të, por do të ndëshkohen në Xhehenem. Ata, me mosbesimin dhe me veprat e tyre, do ta meritojnë Zjarrin dhe ndëshkimin në të. Ky ajet u përngjan shumë disa ajeteve të tjera, si: “Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe shkëlqimin e saj, Ne do t’ua japim të plotë shpërblimin e veprave të tyre në të, pa u lënë asgjë mangët. Këta janë ata për të cilët në jetën tjetër s’ka asgjë tjetër veç Zjarrit. Veprat e tyre në të u shkatërruan, ndërsa punët e tyre u asgjësuan.” [Hud 15, 16]. Ose: “Atij, që ka për qëllim vetëm këtë botë, Ne do t’i japim në të aq sa duam dhe pastaj ai do të hyjë në Xhehenem i përçmuar dhe i përbuzur.” [Isra 18].