Ky është vazhdim dhe shpjegim i ajetit të mësipërm: “Nuk ka polemika mes nesh e jush!”. Kështu, Allahu i Madhëruar thotë:
– “Ata që kundërshtojnë fenë e Allahut, pasi është pranuar (ndër njerëz), …” – Domethënë, ata të cilët polemizojnë rreth Allahut dhe fesë së drejtë me argumente të kota, të paqarta dhe të pabaza, – edhe pse këtë fe e kanë pranuar dhe ndjekur njerëzit e mençur, për shkak të argumenteve të qarta dhe fakteve të pamohueshme të saj, – në të vërtetë tregojnë se janë refuzues dhe armiq të së vërtetës, pasi ajo është bërë e qartë.
– “… sjellin argumente që janë të pavlefshme te Zoti i tyre.” – Argumentet e tyre janë të kota, të pavlefshme dhe të papranueshme tek Zoti i tyre, sepse ato synojnë që të mohojnë dhe të fshehin të vërtetën, që Zoti dëshiron të përhapet ndër njerëz. Çdo gjë që kundërshton dhe lufton të vërtetën është e kotë dhe e gabuar. Ajo shkakton zemërimin e të Plotpushtetshmit dhe, më pas, ndëshkim të rëndë.
– “Mbi ta do të bjerë zemërimi i Tij dhe do të kenë një dënim të rëndë.” – Ata e meritojnë këtë ndëshkim të rëndë, sepse i kanë kthyer shpinën udhëzimit të Zotit, që mbështetet në fakte të pakundërshtueshme.