– “… dhe thanë: “A janë më të mirë zotat tanë apo ai?!” Ata e thanë këtë veçse për polemikë, sepse ata janë njerëz ngatërrestarë.” – Domethënë, nëse adhurimi i Isait, ashtu sikurse edhe i idhujve tanë, është i ndaluar, atëherë pse ai duhet të jetë më i mirë se idhujt tanë? Nëse idhujt tanë dhe ne do të jemi në Zjarr, po kështu duhet të ndodhë edhe me Isain. Por nëse pretendon se Isai është nga robërit e mirë të Zotit, që do të kenë përfundim të mirë, atëherë këtë duhet ta pranosh edhe për idhujt tanë. Ose, në të kundërt, ke rënë në kundërshtim me veten.
Atëherë, nëse vërtetohet që ke rënë në kundërshtim me veten, kjo tregon se argumentet që ti përdor janë të gjitha të papranueshme, prandaj duhen hedhur poshtë.” Ky ishte, pra, “zbulimi” i tyre gjenial, me të cilin ata u gëzuan. Por ky lloj arsyetimi ishte nga më të dobëtit e bërë ndonjëherë, dhe lavdia i takon vetëm Allahut për këtë libër që na ka dhënë, i cili sqaron gjithçka! Në këtë temë duhen dalluar dy çështje. Së pari, është e ndaluar të adhurohet çdo gjë apo çdokush tjetër, veç Allahut. Kjo do të thotë që Allahu i Madhëruar i ka konsideruar njëlloj të ndaluar si adhurimin e idhujve, ashtu edhe adhurimin e Isait (a.s.).
Ky është gjykim gjithëpërfshirës, sepse adhurimi është e drejtë dhe meritë vetëm e Allahut, Krijuesit dhe Zotit të gjithësisë, të Vetëm e të Pashoq, dhe e askujt tjetër. Asnjë lloj krijese nuk meriton asnjë grimë adhurimi, as melekët e afërt të Zotit, as profetët e Tij dhe askush tjetër. Kjo është çështja e parë, që duhet kuptuar mirë. Së dyti, Isai (a.s.) ishte profet dhe rob i zgjedhur i Allahut të Lartësuar. Kështu, gjykimi dhe vlerësimi për të nuk ka asnjë lidhje me faktin se ai adhurohet veç Allahut. Këto janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme dhe pa lidhje me njëra-tjetrën. Ata të adhuruar që do të digjen në Zjarr bashkë me adhuruesit e tyre janë ata që e kanë pëlqyer këtë gjë për vete ose që e kanë miratuar nga ana e tyre. Ndërsa Isai ishte, sikurse ka thënë Allahu i Lartësuar: