Select Page

– “Kur popullit tënd iu përmend si shembull Biri i Merjemes, ngritën zërat (të kënaqur)…” – Allahu i Madhëruar i ka ndaluar njerëzit nga adhurimi i çdo gjëje tjetër veç Tij, çfarëdo dhe kushdo qoftë. Pjesë e këtij ndalimi ishte edhe adhurimi i Isait, birit të Merjemes. Adhurimi i tij është njëlloj si adhurimi i çdo idhulli tjetër, prandaj është i ndaluar. Por kur Allahu i Madhëruar solli si shembull të adhurimeve të gabuara adhurimin e Isait (a.s.), birit të Merjemes, mohuesit e Profetit (a.s.) pandehën se e gjetën ku të kapeshin. Të entuziazmuar, ata kujtuan se tashmë fituan me këtë “zbulim” nga ana e tyre.

Por cili ishte “zbulimi” i tyre gjenial? Ata aludonin për ajetin në suren Enbija: “Pa dyshim, ju dhe ato që ju i adhuroni veç Allahut, keni për të qenë lëndë djegëse e Xhehenemit.” Kështu, ata thanë: “Si ne, ashtu edhe ti Muhamed, e pranojmë që Isai ishte nga robërit e afërt dhe të zgjedhur të Allahut, që do të kenë një përfundim të mirë. Po sipas ajetit të mësipërm, ai duhet të jetë lëndë djegëse e Xhehenemit, ashtu sikurse idhujt tanë, sepse edhe ai adhurohet veç Allahut. A nuk është ky një paradoks nga ana jote? Pse duhet të trajtohet Isai ndryshe nga idhujt tanë, ndërkohë që ata kanë të përbashkëta disa gjëra?!”