– “Por, kur Ne ua hoqëm ndëshkimet, ata përsëri e thyen besën.” – Ata nuk e mbajtën fjalën, por tradhtuan, duke vazhduar me mosbesimin e tyre. Kjo pjesë i përngjan fragmentit tjetër në Kur’an: “Atëherë Ne lëshuam kundër tyre (mjerime): përmbytje, karkaleca, parazitë, bretkosa dhe gjak, Shenja të qarta njëra pas tjetrës. Por ata u treguan arrogantë, sepse ishin njerëz keqbërës. Sa herë që binte ndëshkimi mbi ta, ata thoshin: “O Musa! Lutju Zotit tënd për ne, sipas premtimit që të ka dhënë. Nëse na e largon ndëshkimin, ne do të të besojmë ty dhe do t’i dërgojmë bijtë e Izraelit me ty.” Por sa herë që Ne ua largonim ndëshkimin, për t’u lënë një afat të caktuar, ata e thyenin premtimin. Kështu, Ne i ndëshkuam ata dhe i fundosëm në det, ngaqë ata i konsideruan gënjeshtra argumentet Tona dhe u treguan mospërfillës ndaj tyre. Ndërsa popullit të përvuajtur i lamë në trashëgim viset lindore dhe perëndimore të tokës ku zbritëm bekimet Tona. Kështu u plotësua premtimi i mirë i Zotit ndaj bijve të Izraelit, për durimin që ata treguan. Ne e rrënuam çfarë kishte bërë Faraoni dhe populli i tij dhe kullat që kishin ndërtuar.” [El ea’raf 133 – 137].