Select Page

“Sikur ta kishim shpallur Kur’anin në një gjuhë të huaj (e jo në arabisht), ata do të thoshin: “Përse nuk janë të kuptueshme ajetet e tij? Përse, vallë, ai është në gjuhë të huaj, ndërkohë që ai është arab?!” – Allahu i Lartësuar na flet për mirësinë dhe bujarinë e Tij, kur i shpalli Kur’anin në arabisht një profeti arab, domethënë me gjuhën e popullit të tij, me qëllim që ai t’ua përcillte sa më qartë fjalët dhe kuptimet e këtij libri.

Ky fakt duhet t’i bëjë njerëzit që të përkujdesen më shumë për këtë Shpallje dhe t’i japin më shumë rëndësi asaj. Ata duhet që të nënshtrohen dhe ta zbatojnë atë. Nëse Allahu i Madhëruar do ta shpallte Kur’anin në një tjetër gjuhë, gënjeshtarët dhe refuzuesit e profetëve do të thonin: “Përse nuk janë të kuptueshme ajetet e tij?. Ata do të thoshin gjithashtu: “Si është e mundur?! Profeti arab, ndërsa Libri i tij me gjuhë tjetër?!”

Por kjo nuk mund të ndodhte, prandaj i Madhëruari hedh poshtë çdo pretendim të mohuesve, duke e përshkruar Kur’anin me cilësi të larta, që e bëjnë të detyrueshme nënshtrimin ndaj mësimeve të tij. Por, gjithsesi, ata që përfitojnë dhe lartësohen nëpërmjet Kur’anit janë besimtarët, të cilëve Zoti u ka dhënë sukses dhe i ka ndihmuar që të kuptojnë të vërtetën, me dritën e besimit që u ka dhuruar. Ndërsa mospërfillësit e Shpalljes dhe refuzuesit e profetëve, ndryshe nga besimtarët, janë të shurdhët ndaj mësimeve dhe udhëzimeve të tij. I Lartësuari thotë:

– “Thuaju: “Ai, për besimtarët, është udhëzim e shërim.”” – Kur’ani i udhëzon besimtarët në rrugën e drejtë dhe u mëson dituri të dobishme, përmes të cilave ata ndriçohen dhe ecin të sigurt drejt Zotit dhe Xhenetit. Në Kur’an, ata gjejnë shërimin e shpirtit dhe të trupit të tyre nga çdo sëmundje. Kur’ani i edukon ata që të ndalen nga çdo ves i ulët dhe vepër e shëmtuar. Ai i nxit dhe u jep forcë që të pendohen sinqerisht, që t’u pastrohen të gjitha gjynahet dhe t’u shërohen zemrat. Ndërsa nga ana tjetër qëndrojnë të humburit:

“Ndërsa ata që nuk besojnë, i kanë veshët të shurdhuar, dhe për ta ai është verbëri.” – Ata që nuk e besojnë Kur’anin, që është prej Zotit, janë të shurdhët nga mësimet dhe udhëzimi që ai ofron dhe i kanë kthyer tërësisht shpinën atij. Ata nuk arrijnë që, nëpërmjet Kur’anit, të shohin udhën e drejtë. Ata zhyten edhe më thellë në humbjen e tyre, duke e shtuar verbërinë që u ka zënë sytë.

“Këta janë njëlloj si të thirren prej një vendi të largët”. – Ata thirren për të besuar të vërtetën, por nuk përgjigjen. Ata janë sikur i thërret dikush nga një vend shumë i largët, ku as zëri i thirësit nuk dëgjohet dhe as përgjigjja nuk është e mundur. Kuptoje se ata të cilët nuk e besojnë Kur’anin si një Shpallje të Zotit, nuk mund të përfitojnë nga udhëzimi dhe drita e tij. Ata nuk mund të ndriçohen dhe as të arrijnë të lumturohen me mrekullitë dhe begatitë e Kur’anit. Janë ata vetë që ia mbyllin vetes portat e udhëzimit, duke i kthyer shpinën kësaj Shpalljeje dhe duke e refuzuar atë pa i dhënë as hakun më të vogël.