Select Page

– “Pyeti ata që i dërguam para teje: A kemi lejuar që, në vend të Allahut, të adhurohen zota të tjerë?” – Domethënë, pyeti ata, që ndoshta të mund të gjejnë ndonjë arsye apo argument ku mund të kapen! Jo, ata nuk kanë asnjë bazë ku mund ta mbështesin idhujtarinë e tyre. Asnjë profet nuk ka përcjellë një mesazh të tillë. Sado të kërkosh në mesazhet e profetëve, nuk do të gjesh asnjë që të ketë porositur dhe urdhëruar për të adhuruar zota të tjerë veç Allahut. Të gjithë profetët, nga i pari deri tek i fundit, kanë urdhëruar për adhurimin e Allahut si Një të vetëm dhe të pashoq.

Thotë i Madhëruari: “Ne çuam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni shejtanëve (adhurimit të tyre)!” Por pati nga ata që Allahu i udhëzoi dhe pati nga ata që merituan të mbeten në humbje. Pra, udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte fundi i gënjeshtarëve!” [Nahl 36]. Gjithashtu, çdo profet i Zotit i thoshte popullit: “Adhuroni Allahun! Ju nuk keni zot tjetër veç Tij, (që meriton të adhurohet).“ [El ea’raf 59]. Kjo tregon që idhujtarët nuk kanë asnjë argument ku të kapen e mbështeten, as në logjikën e shëndoshë e as në tekstet hyjnore prej qiellit.